Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi

Gazeta10
14 Nëntor 2022 - 14:31

Të akuzuarit për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës së sotme të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, raporton Gazeta10.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja, Medie Bytyqi njoftoi palët për të drejtën e tyre për kërkesën e hudhjes së aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, seanca fillestare për këtë rast e paraparë të mbahej më 25 tetor të këtij viti ishte shtyrë me kërkesë të mbrojtjes. Ata kishin kërkuar këtë shtyrje me arsyetimin se lënda është voluminoze dhe se nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMË X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij, shkruan Betimi për Drejtësi, raporton Gazeta10.

Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, të akuzuarit së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.