
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar deputetit të LDK-së, Avdullah Hotit, pasi ky i fundit tha se Qeveria është fajtore për shpenzimet e terminaleve doganore, pasi sipas tij, këto shpenzime nuk i paguajnë bizneset, por qytetarët përmes taksave, raporton Gazeta10.
Hoti gjithashtu ka vlerësuar se me 400-500 mijë euro për ndërtimin e një çerdheje për fëmijë, do të mund të ndërtoheshin 20 çerdheve.
Në përgjigje të kësaj, ministri Murati tha se Qeveria po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet, ndërsa Qeveritë e kaluara, sipas tij, nuk e kanë bërë asnjërën.
“Le ta pyet dikush deputetin Hoti se, sa çerdhe i patën ndërtu me paratë që i paskan kursy nga privatizimi terminaleve gjatë kohës sa ky me partinë e tij kanë qenë në qeverisje. Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet! Ata para nesh, as terminale, por as çerdhe. Madje edhe ato pak çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat, i kanë lënë pa staf”, ka shkruar Murati në një postim në Facebook.
“U desh të vinte Qeveria jonë, që të alokohej edhe stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna”, shtoi ministri./Gazeta10.