
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po qëndrojnë në Washington në një vizitë zyrtare në SHBA, raporton Gazeta10.
Kështu, Krasniqi si kryetari i subjektit më të madh opozitar ka filluar vizitën e tij në varrezat nacionale të Arlingtonit.
“Ishte e pashmangshme që, para se të nisë takimet zyrtare në SHBA, të nderoj ushtarët amerikanë në varrezat nacionale të Arlingtonit – të cilët ndër shekuj ranë për liri dhe demokraci”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera.
Më tej, ai ka takuar edhe njohësin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer.
“Në Washington DC e takova profesorin e shquar Daniel Serëer, një nga njohësit më të mirë të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, ai ka vizituar edhe dy institute, Institutin Nacional Demokratik (NDI) dhe Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI).
“Si Institute të cilat merren shumë me rritjen e rolit qytetar në procesin politik, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë, bashkë diskutuam për nismat e fundit të PDK-së që kanë të bëjnë pikërisht me këto dy kategori”, ka shkruar më tej Krasniqi.
Tutje, ai ka takuar edhe të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai ka thënë se ia ka shprehur Escobar-it qëndrimet politike të PDK-së që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës dhe rreshtimin perëndimor të saj.
“Z. Escobar i shpreha qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi me SHBA-në për ne është pa alternativë, edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që na jep në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare – përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB”, ka shkruar Krasniqi.
Më tej, ai ka takuar edhe ambasadorin William Walker për të cilin ka thënë se ka një kontribut të paharrueshëm për Kosovën.

“Ambasadorin William Walker. Kontributi i tij për të vërtetën dhe të drejtën e Kosovës është historik, i paharrueshëm dhe do të gëzojë përjetësisht mirënjohjen dhe falënderimin tonë të plotë. Është gjithmonë kënaqësi dhe nder i jashtëzakonshëm takimi dhe biseda me të”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi ka takuar edhe senatorin e shtetit Connecticut, Chris Murphy si dhe zyrtarë të tjerë të shtetit duke përfshirë këtu edhe Kongresmenin e Michiganit John Moolenaar, atë të Marylandit Dutch Ruppersberger, të Virginias Ben Cline.
Në të njejtën kohë me Krasniqin edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është në SHBA në një vizitë zyrtare atje.
Abdixhiku ka filluar vizitën e tij duke e takuar të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai ndër të tjera ka thënë se në Washington ka shtruar një kërkesë për nënshkrimin e “Kartës për Partneritet Strategjik SHBA-Kosovë”.
“Në këtë drejtim, shtrova kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’. Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook.
Më tej, ai ka takuar senatorin Christopher Murphy të cilin ia ka shtruar kërkesën e njejtë.
“Ditën e dytë të vizitës e nisa me takime në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Aty u prita nga Senatori Christopher Murphy dhe ekipi i tij politik. Biseduam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon. Edhe në Senat shtrova kërkesën tonë për ngritjen e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe SHBA-ve nëpërmjet ‘Kartës për Partneritet Strategjik’”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje, ai ka vazhduar takimet me Kongresmeni Republikan Robert Aderholt për të cilin ka thënë se është mik i madh i Kosovës
“Kongresmeni Aderholt është një mik i madh i Kosovës. Në rolin e bashkëudhëheqësit të grupit për çështjet shqiptare, ai ka shtyrë në vazhdimësi pozicionin e Kosovës në Kongresin Amerikan dhe politikën e jashtme amerikane. Për këtë e falënderova përzemërsisht. Të njëjtin e ftova për vizitë në Kosovë. Populli i Kosovës mbetet falënderues për kontributin e Kongresistëve në momente të ndryshme historike. Për këtë mbështetje kemi nevojë edhe sot”, ka thënë Abdixhiku.
Ai më tej ka takuar edhe Kongresmenin Demokrat Dutch Ruppersberger, me të cilin kanë diskutuar për shëndrrimin e bazës amerikanë BondSteel si në një bazë të përhershme amerikane në Kosovë.
“Në Kongres u prita dhe nga Kongresmeni Demokrat Dutch Ruppersberger. E urova për rizgjedhjen në mandatin e ri Përvoja e tij disadekadëshe në politikën amerikane është vlerë e jashtëzakonshme. Roli i tij në administratën e tanishme dhe simpatia e përhershme për Republikën e Kosovës është mundësi e madhe për ne. Shndërrimi i bazës amerikane të Bondsteel-it në bazë ushtarake të përhershme ishte temë e përbashkët e diskutimit tone”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tutje ka zhvilluar edhe vizitën në Pentagon ku ka thënë se është një ndër pritjet me të rëndësishme të kësaj vizite.

“Në Pentagon, tempullin e mbrojtjes së demokracisë dhe vet lirisë. Një ndër pritjet më të rëndësishme të kësaj vizite. ”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndryshe nga opozita, Qeverisë së Kosovës ditë më parë i ishte rekomanduar nga Ambasada Amerikane në Kosovë që për shkak të situatës në vend, ministrat të mos udhëtojnë jashtë shtetit.
“Ne aktualisht jemi në një krizë, dhe është pikëpamja jonë që, ne jemi tejet të përqendruar në këtë krizë, besojmë që edhe kjo qeveri është e përqendruar në këtë krizë, dhe mendojmë se nuk është koha mbase domosdoshmërisht më e duhura që ministrat të jenë duke udhëtuar për në ShBA për takime zyrtare, duke e pasur parasysh krizën të cilën duhet trajtuar këtu. Dhe këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në qeveri”, kishte thënë ambsadori i SHBA-së në Kosovë Jeff Hovenier. / Gazeta10
