Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Përurohet në 110-vjetorin e Pavarësisë shtatorja e Anton Çettës, pas katër vjetësh e mbyllur në atelie

Gazeta10
28 November 2022 - 12:15

Shtatorja e prijësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Anton Çetta është përuruar hapësirën e Universitetit të Prishtinës, pas katër vjetësh pritjeje në atelienë e skulptorit Agon Qosa, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se Anton Çetta ishte i veçantë dhe kishte bërë punë të
palodhshme.

Ai shtoi se Çetta themeloi dhe udhëhoqi Komunitetin e pajtimit të gjaqeve dhe e çrrënjosi traditën shekullore të vëlla vrasjes duke pajtuar rreth 1800 gjaqe rreth 30 mijë ngatërrime.

“Profesor Anton Çetta vërtet i veçantë ishte, të gjithë ja njohim punën e palodhshme dhe të jashtëzakonshme që e kreu në punën e pa lodhshme që e kreu me punën e prozës popullore. Profesor Çetta themeloi dhe udhëhoqi komunitetin e pajtimit të gjaqeve dhe e çrrënjosi traditën shekullore të vëlla vrasjes duke pajtuar rreth 1800 gjaqe rreth 30 mijë ngatërrime”,

“Ishte fillimi i viteve të 90-ta, zullumet e pushtimet të atëhershme po u trashnin. Për baraspeshë po
punonte edhe trashëgimia e lashtë zakonore. Jemi njerëz me shumë fat, që Kosova jonë lindi një njeri kaq të madh. Kjo shtatore që po përurojmë është vepër e skulptorit Agon Qosa”.

Profesori Jahja Dranqolli, tha se kjo shtatore u ngrit në bindje të fortë njerëzore që vepra e profesor Çettës bartë vlera që nderojnë çdo shqiptarë kudo që është.

“Kjo shtatore nuk është ngritur me kriteret partiak apo politike, por ka një bazë të gjerë intelektuale të bazuar në bindje të fortë njerëzore që vepra e profesor Çettës bartë vlera që nderojnë çdo shqiptarë kudo që është.  Profesor Çetta nxori disa breza studiuesish dhe  profesorësh të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në vitin 1990 në tubimin të Verat e Llukës për herë të parë në historinë e shqiptarëve u mblodhën në një vend mbi 500 mijë njerëz, kjo ngjarje mund të inkuadrohet në radhën e kuvendeve të historisë tonë siç ishte ai Kuvendi i Lezhës dhe ai i Prizrenit”, tha ai.

Profesori Riza Krasniqi, tha se virtyti kryesor i profesorit Anton Çetta ishte ndershmëria, raporton EO.

“Gjaqet u falën për çështjen kombëtare, sepse pas çdo falje e pajtimi ne ishim të fort dhe liria ishte një hap më afër. Kur flasim për profesorin virtyti i tij i parë ishte ndershmëria e tij. Edhe e udhëhoqi lëvizjen ndershëm. Dihet se kur lideri është i ndershëm edhe populli është i ndershëm”, tha ai.

Më 10 nëntor 2020, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar propozimin për vendosjen e shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare në parkun para Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Ministrja e atëhershme e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte thënë se me këtë shtatore do jepnin kontributin për historinë e re të Kosovës.

Ndërkaq, Ipeshkvia e Kosovës, në janarin e vitit të kaluar, kishte marrë vendim që ta vendoste një tjetër shtatore të Çettës para hyrjes së katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë.

Por, familja e veprimtarit kishte refuzuar një kërkesë të tillë, duke theksuar se për të vlerësuar figurën e Çettës, statuja duhet të vendosej në ndonjë hapësirë publike, pasi veprimtaria e tij, sipas familjes, kishte një kuptim më të lartë sesa fetar e partiak.

E financuar nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, shtatorja ka kushtuar 60 mijë e 800 euro.

Paraprakisht me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte shpallur muajin nëntor si “Muaji i Anton Çettës”, duke miratuar edhe programin e aktiviteteve përkujtimore./EO

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.