
Miroslav Lajçak ka folur në Politko edhe për përplasjet e shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dy takimet e përbashkëta të drejtuara nga kryediplomati spanjoll.
Lajçak ka mohuar se mund të ketë hatërmbetje mes dy politikanëve, Borrellit e Kurtit.
Por, ai tha se takimet shumëorëshe në Bruksel ku palët nuk i pranuan dy propozimet e BE-së, përfunduan me frikën se mund të ketë përshkallëzim të situatës, shkruan Gazeta10.
“Pra, z.Borell natyrisht do të donte që liderët t’i ftonte për normalizim të marrëdhënieve, për çështje të mëdha dhe ai u detyrua të trajtojë çështje të menaxhimit të krizave. Për fat të keq, kjo ishte situata. Dhe gjatë atij tetë orëshi, BE-ja bëri dy propozime, shumë serioze dhe të balancuara. I pari ishte më gjithëpërfshirës. Dhe propozimi i dytë ishte i fokusuar në parandalimin e përshkallëzimit ose parandalimin e konfliktit. Fatkeqësisht, nuk pati marrëveshje që pranonte ndonjërin nga propozimet, e kjo do të thotë se e mbyllëm takimin me frikën se shumë shpejt mund të ketë përshkallëzim në terren. Dhe kjo gjë pastaj reflektoi në deklaratën e z.Borell”, tha mes tjerash Lajçak në një intervistë në Politiko./Gazeta10