
Policia e Kosovës ka dalë me një reagim pas rrëmbimeve të fundit të qytetarëve serbë që po raportohen se po ndodhin në veriun e Republikës së Kosovës.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka thënë se po i trajton me seriozet rastet madje kanë filluar edhe kontrollimin e automjeteve nëpër rrugë.
“Kërcënimet dhe rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ka krijuar rrethana të domosdoshme në ngritjen e kapaciteteve policore në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale. Në funksion të kësaj përveç angazhimeve aktive, janë vendosur edhe pika kontrolli të automjeteve nëpër qytete dhe akse rrugore. Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serb nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Tutje, policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshem dhe ofrimin e informatave.
“Policia e Kosovës, falënderon qytetaret për bashkëpunimin e vazhdueshëm ofrimin e informatave të rëndësishme për adresimin efikas të këtyre veprimeve kriminale që si tendencë kanë krijimin e panikut dhe frikës tek qytetarët e vendit tonë.”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Sot u shënua dita e 12 qëkur serbët bllokuan disa rrugë në veri të Kosovës nëpërmjet barrikadave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se barrikadat do të largohen vetëm kur të themelohet Asociacioni i komunave serbe në Kosovës.
Ndërkaq institucionet e Kosovës kanë kërkuar që barrikadat të hiqen sa më parë,/Gazeta10