
Sot janë bërë 17 ditë prej kur janë vendosur barrikadat në veri të vendit, duke bllokuar çdo lëvizje të lirë të qytetarëve në këtë pjesë, raporton Gazeta10.
Gjatë këtyre ditëve ka pasur sulme të vazhdueshme me shko-bomba e të shtëna armësh nga serbët drejtuar policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
Madje gjatë ditës së djeshme, një patrullë e KFOR-it është sulmuar nga bandat e organizuara serbe në veri të Kosovës.
Sulmi u konfirmuar edhe nga zyra për media e KFOR-it.
Ushtarët e KFOR-it në veri të Kosovës pranë të cilëve është gjuajtur me armë janë pjesë e kontingjentit letonezë.
KFOR ka konfirmuar se ka pasur të shtëna armësh në vendin ku po qëndronte një patrullë e tyre.
Por kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç e ka mohuar. Ai në një prononcim për TV Pink në Serbi, deklaroi se informacionet nuk janë të vërteta.
“Dua të mohoj raportimin e mediave se ka pasur sulm ndaj njësive të KFOR-it”, deklaroi ai, duke anashkaluar deklarimin e KFOR-it për të shtënat në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës. Informacionet tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. Situata është e qetë”, pohoi ai.
Zyra e KFOR-it për media ka treguar se nuk ka të lënduar nga ky rast.
“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Nuk ka të lënduar dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet, ashtu siç kemi bërë do t’ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje./Gazeta10