Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Përballja e ish-krerëve të UÇK-së në Speciale

Gazeta10
03 January 2023 - 20:15

Raporti: Gresa Bardhecaj / Kanal10

Thirret në emrin e një populli, por është e vetmja gjykatë, me të cilën ky popull nuk pajtohet.

Të dënohet luftëtari i lirisë, e në fund të shqiptohet dënim për krime lufte në emër të këtij populli, është ndër praktikat e rralla në botë.  

Prandaj, për këtë edhe u protestua në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2022.

Derisa, nga fundi i vitit 2020, kur edhe nisi punën gjykata, në Kosovë filloi fushata “Liria ka emër”, atribut ky që iu njihej krerëve të UÇK-së, që për dallim nga fitoret e  fronteve të luftës më 1998/1999, tashmë ndodheshin përballë frontit të drejtësisë.

Por, që nga presioni për krijimin e saj, e deri te funksionalizimi e fillimi i punës, Gjykata Speciale me seli në Hagë ka qenë dhe mbetet si rast “sui generis”.

E krijuar në vitin 2015, nga votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pas një presioni të paparë ndërkombëtar, Gjykata Speciale ka marr rrjedhë tjetër, duke tentuar edhe ndryshimin e narratives për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo gjykatë një-etnike, si kurrë më parë ka në dispozicion dosje të mbledhura në bashkëpunim me shërbimin sekret serb, shtet ky që zhvilloi një ndër agresionet më të mëdha në luftën e fundit në Kosovë.  

Edhe pas dy vjetësh, në Hagë, po vazhdojnë të mbahen në paraburgim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe komandantë të batalioneve, e krerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Që nga nëntori i vitit 2020, në paraburgim ndodhen ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish-komandanti, Rexhep Selimi, si dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

Derisa për ta ende nuk ka nisur gjykimi, Dhomat e Specializuara tashmë kanë shqiptuar tri dënime ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Si në asnjë praktikë tjetër të tribunaleve ndërkombëtare, Gjykata Speciale e ka dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte, ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa.

Ndërkohë, me nga 4 vjet e gjysmë burgim i ka dënuar kryetarin e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj, për pengim të drejtësisë, pas publikimit të dosjeve që kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale.

Puna e Dhomave të Specializuara është karakterizuar me shumë dyshime për shkelje të të drejtave të të pandehurve, me shkelje të afateve, e me ndikime politike.

Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka treguar se sa procese gjyqësore u zhvilluan, ndaj kujt dhe me çfarë u karakterizua puna e kësaj gjykate.

Krahas proceseve gjyqësore që janë duke u zhvilluar atje, në katër raste të ndara ndaj 8 personave, mbrojtjet e të akuzuarve vazhdimisht kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për vonesa të shumta në shumë çështje.

Për zvarritje të procesit gjyqësor ka folur edhe avokati Artan Qerkini, i cili ka thënë se janë shkelur disa të drejta të të pandehurve.

Derisa, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka treguar për kërkesat më të theksuara që ekipet mbrojtëse i kanë pasur karshi ZPS-së.

Përplasjet më të forta dhe kundërshtimet më të mëdha ishin nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve ndaj ZPS-së.

Vonesat në fillimin e gjykimit, vonesa në nxjerrjen e materialeve, si dhe redaktimet e tepërta në aktakuza kanë qenë ankesat kryesore të avokatëve.

Njohësit e kësaj fushe kanë treguar se si mund të ndikojnë këto vonesa në procesin gjyqësor dhe sa mund të zhvillohet një gjykim i drejtë.

Gjatë vitit 2022, dyshimet për drejtësi mbi Gjykatën Speciale morën rrjedh tjetër, pasi që në skenë doli sërish ish-senatori zviceran, Dick Marty, raporti i të cilit ishte baza e krijimit të Dhomave të Specializuara.

Por, pavarësisht pretendimeve të tij për trafikim organesh, asnjëherë nuk dolën në dritë akuza të tilla, madje ato as nuk përmenden fare edhe në aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Mediat zvicerane raportuan se shërbimi sekret serb kishte planifikuar vrasjen e Martyt, për t’ua lënë më pas fajin shqiptarëve, por që inteligjenca e shtetit të Zvicrës, kishte arritur të dekonspirojë këto plane, dhe i ishte ofruar mbrojtje e afërt ish-senatorit.

Kjo nxiti edhe më shumë reagime në Kosovë, për mënyrën e krijimit të Gjykatës Speciale dhe punën e saj, por që nuk u morën shumë parasysh.

Derisa, ndodhen në paraburgim në Hagë, ish-krerët e UÇK-së, patën vizita të shumta nga ish-bashkëpunëtorë, ish-bashkëluftëtarë, e politikanë të ndryshëm.

Një vizitë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri bujë të madhe, pasi që ai kërkoi një mekanizëm që do ta kontrollonte punën e Gjykatës Speciale.

Gjithashtu, vizitë në Hagë bëri edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga ku më pas nisi edhe rezolutën në Këshillin e Evropës për hedhjen poshtë të pretendimeve të Dick Martyt.

Nga seanca në KiE, ende nuk ka diçka zyrtare mbi nismën e shtetit shqiptar.

Megjithëse, ia përmendën shpesh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është rezervuar të flasë për ish-krerët e UÇK-së, e as nuk ka zhvilluar ndonjë vizitë në Hagë.

Ndërkaq, për dallim nga Kurti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk i përmend as në raste të përvjetorëve, kurse i sulmon sa herë që flitet për të kaluarën e vendit.

Sidoqoftë, ende nuk është dhënë një datë specifike, mirëpo në pranverën e vitit 2023, pritet të fillojë gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Derisa, një gjë e tillë të ndodhë, katërshja e luftës do të vazhdojnë të qëndrojë brenda mureve të Gjykatës Speciale.

Mbase, thënia e Martin Luther Kingut, “Padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë kudo”, do të ishte ideale për t’i dhënë shpjegim një gjykate që s’jep asnjë shpjegim për punën e saj.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.