
Një 31 vjeçar nga Ferizaj është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se e ka dhunuar një 26 vjeçare në një motel në rrugën Ferizaj-Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se dhunimi dyshohet të ketë ndodhur pak pas mesnatës, ndërsa për këtë Policia u informua rreth orës 04:00 në mëngjes.
“Sot rreth orës 04:00 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se rreth orës 00:30 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë në një motel në Ferizaj dyshohej se ishte një rast “Dhunimi”. Policët hetues dhe krimteknikët e Sektorit Rajonal të Hetimeve i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar i kanë nisur hetimet”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këtë, policët hetues kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar personin mashkull, kosovar i moshës 31 vjeçar me dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
31-vjeçari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe më pas është intervistuar nga policët hetues. Siç njofton Policia, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. /Kanal10