Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Agim Veliu refuzon kandidaturën për deputet të LDK-së: Nuk di nëse paskam ndryshuar unë, apo ata?

Gazeta10
11 Maj 2026 - 20:50

Agim Veliu ka refuzuar kandidaturën për deputet në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ai ka thënë se nuk e dinë në cilin bashkim bëri pjesë, por tha se kandidatura e tij kësaj radhe u bë për mbijetesë politike të kryetarit.

Kështu Veliu refuzoi nominimin e tij për deputet, duke thënë se nuk do të jetë pjesë.

Postimi i plotë:

Të dashur anëtarë, aktivistë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

E ndjej obligim moral, njerëzor dhe politik t’ju falënderoj secilin prej jush për besimin, sakrificën dhe qëndrueshmërinë që i keni dhënë LDK-së ndër vite.

Kësaj radhe nuk dua të flas për rrugëtimin tonë të përbashkët politik për më shumë se tri dekada e gjysmë. As për sfidat dhe sukseset e mëdha të bastionit të pathyeshëm të LDK-së dhe rugovizmit në Llap, deri para pesë vitesh.

Nuk dua të flas kronologjikisht as për goditjet ndaj meje dhe vetë degës në Podujevë në vitet e fundit nga lidershipi aktual i LDK-së, që erdhi në parti për ta administruar, jo për ta zhvilluar.

Nuk dua t’ua sjell në kujtesë as papërgjegjësinë e lidershipit që prodhoi përçarje të madhe dhe polarizim të skajshëm të anëtarësisë. E, nuk po përmend as humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore dhe rënien drastike të elektoratit në Llap e kudo në Kosovë.

Dua të ndalem te momentumi aktual partiak, që po promovohet si “Bashkimi i madh”, e që çuditërisht po përfshinë të gjithë ata që u anatemuan dhe eliminuan nga lidershipi aktual: pra të mënjanuarit, të diferencuarit dhe të padëshiruarit u bënë të dëshiruar.

Nuk di në cilën kategori të “Bashkimit të madh” bëj pjesë unë, por e di që para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, publikisht pata shprehur vullnetin të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, me qëllim të mobilizimit dhe unifikimit të elektoratit. Por kryesia e Degës kishte refuzuar edhe ta nxjerrë në diskutim kandidaturën time, me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh (Lumirit)” të mos jem pjesë e garës.

Ndërsa sot e njëjta kryesi, me bekimin e shefit, më paska propozuar të jem në listën e kandidatëve për deputetë. Madje pa më kontaktuar dhe pa më konsultuar fare.

Tash nuk di nëse paskam ndryshuar unë, apo ata?

Jo. As unë, as ata.

Kanë ndryshuar vetëm strategjitë për mbijetesën e tyre politike.

Ka ndryshuar edhe motoja, të cilën e solli në LDK e rikthyera nga aventuara e saj pesë vjeçare në kampin majtist. Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në “Bashkim të madh të djathtistëve”.

Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Unë nuk largohem nga LDK-ja, sepse është pjesë e jetës sime politike që nga themelimi i saj. Por, refuzoj të përdorem dhe të jem pjesë e një projekti që e largon partinë nga identiteti i saj institucional e shtetndërtues.

Jam i bindur se LDK do të çlirohet nga mentaliteti i OJQ-izimit politik dhe do të rikthehet në rolin e saj historik si forcë përgjegjëse shtetformuese.

LDK është më e madhe se interesat meskine të dy njerëzve.

Zoti e ruajt LDK-në!

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.