
Në emisionin “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, është raportuar se banorët e fshatit Sojevë janë ankuar për rrugë të paasfaltuar, mos lidhje në rrjetin e kanalizimit si dhe mungesës së ujit të pijshëm, raporton Gazeta10.
Banorët janë ankuar se të gjitha investimet deri më tani në rrugë, rrjet të kanalizimit janë bërë në mënyrë vetanake dhe se komuna asnjëherë nuk ka marrë ndonjë masë për të ua përmirësuar jetën.
“Problemet të cilat janë në këtë lagje, janë të jetës së përgjithshme duke filluar nga rruga, kanalizimi, ujësjellësi e ndriçimi, të cilat pas luftës e tutje as komuna as shteti nuk bëri asnjë investim në këtë lagje. Rruga po shihet se çfarë gjendje është, krejt investimet i kemi bërë në mënyrë vetanake por, jo të mjaftueshme për një jetë të mirëqenët. Po ashtu të kanalizimi kemi bërë investim vetanake por që kemi probleme pas çdo reshje shiu poashtu komuna e ka pru kanalizimin deri këtu veç në lagje tonë jo. Para dy dite kemi paguar zhavorr për me shtru këtë rrugë, po prapë u bë me baltë, nuk kemi kërkuar diçka të veçantë veç një shtresë të asfaltit që mund të kalojmë nuk ka baltë e gropa. Tash ujësjellësin e kanë sjellë deri në kodër e nuk e kanë zgajt një gyp edhe për neve.”, ka deklaruar një banor.
Lidhur me këtë në një lidhje direkte ka qenë edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i cili ka thënë se zakonisht në çështje tek asfaltimit, kanalizimit dhe ujësjellësit në komunën e Ferizajit kanë mbetur pa u instaluar vetëm në lagje të reja të qytetit dhe kështu ka ndodhur edhe në këtë lagje.
Madje ai ka thënë se edhe ky fshat vitin e ardhshëm është pjesë e planprogramit./Gazeta10