
Në emisionin “Raport” me Naim Sadikun, në një lidhje direkte nga Podujeva, banorët e kësaj lagje janë ankuar për dëmët që kanë shkaktuar vërshimet duke përfshirë dëmtimin e urës dhe mbeturinat e shumta që kanë dalë në sipërfaqe.
Lirim Gimolli, banor i lagjes ka thënë se kjo rrugë sa herë që bie shi bllokohet komplet dhe bëhet e pakalueshme.
“Më shumë se tri vite kemi bërë kërkesë, vijnë këtu veq për foto për facebook, e shohin gjendjen e mjerueshme por nuk intervenojnë”, tha Gimolli.
Ai tutje ka treguar që nga komuna ka marrë përgjigje se është në planifikim të rregullohet kjo rrugë por që ende nuk ka asnjë veprim konkret.
“Ka njerëz të sëmurë, ka nxënës që nuk mundem me kalu, kryetari e ka pa gjendjen por nuk ka intervenuar”, ka thënë banori.
Kanal 10 ka kontaktuar menjëherë drejtorin e shërbimeve publike në Komunën e Podujevës, Bahri Selimi, i cili ka thënë se kanë vizituar të gjitha vendet e prekura nga vërshimet dhe se banorëve në fjalë iu kanë dalë në ndihmë gjatë kohës sa kishte vërshime.
Ai tutje ka përmendur problemet buxhetore që kanë si komunë por që tani janë në fazën e projektimit dhe në pranverë planifikojnë fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e urës. /Gazeta10/