Bashkimi Evropian ka dënuar tensionet e së premtes në veri të Kosovës, pas tentimit që kryetarët e rinj të komunave të Zubin-Potokut, Zveçanit e Leposaviqit të futen në zyrat e tyre.
Në një reagim pasdite, Bashkimi Evropian ka dënuar “sulmet ndaj EULEX-it” si dhe ka thënë se më nuk do të pranojë “asnjë veprim të njëanshëm ose provokues”.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale. I dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX-it. EULEX duhet të lejohet të kryejë mandatin e tij paqësisht. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe të rivendosin qetësinë menjëherë. BE-ja s’do të pranojë asnjë veprim të mëtejmë të njëanshëm apo provokues dhe ruajtja e paqes dhe siguria në terren duhet të jenë prioritet”, thuhet në reagimin e BE-së.
Në fund, BE-ja ka përsëritur se “zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për komunat e përfshira”.
“Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes dialogut të vërtetë ndërmjet të gjitha palëve kryesore të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së”, thuhet në fund.