
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu në Politiko tha se në kohën kur ishte ministër i Drejtësisë ka pasur koordinim dhe bashkëpunim mes akterëve kryesorë institucionalë që Blerim Isufaj të mos emërohej kryeprokuror i shtetit.
Sallahu tha se ky qëndrim ishte rezultat i kritikave dhe vlerësimeve që kishin ardhur nga faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë lidhur me procesin.
“Kur kam qenë ministër i Drejtësisë, ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes të gjithë akterëve kryesorë institucional që Blerim Isufaj të mos bëhet kryeprokuror, për shkak të disa gjërave që nuk duhet të thuhen dhe disa të tjera që duhet të thuhen”, tha Sallahu në Politiko.
Sipas tij, një rrjet i organizatave joqeveritare kishte monitoruar procesin dhe kishte evidentuar një numër shkeljesh.
“Shoqëria e organizatave joqeveritare e ka monitoruar një proces dhe ka nxjerrë një sërë shkeljesh. Për këtë ka pasur shumë kritika nga ambasadat, nga shoqëria civile, nga BE-ja dhe nga faktorë kombëtarë e ndërkombëtarë”, tha Sallahu.
Ai shtoi se mbi bazën e këtyre kritikave kishte një pajtim të plotë mes akterëve institucional që Isufaj të mos bëhej kryeprokuror.
“Sipas kësaj, ka pasur koordinim, bashkëpunim dhe pajtim të plotë që ky person të mos bëhet kryeprokuror. Asgjë tjetër nuk ka ndodhur përtej kësaj”, u shpreh deputeti i Vetëvendosjes./Gazeta 10
Deklarata e plotë: