Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Brahimaj zbulon rrëfimin humoristik të Thaçit, Veselit dhe Luan Haradinajt gjatë luftës

Gazeta10
28 November 2026 - 21:47

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka rrëfyer një ngjarje humoristike që përfshin Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Luan Haradinajn, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në emisionin “Java” në Kanal10, Brahimaj ka treguar se tre luftëtarët, gjatë bartjes së armëve me kuaj nga zona e Batushës drejt Gllogjanit, ishin ndalur për ta pyetur një të moshuar për një rrugë më të shkurtër.

Gjatë bisedës me të moshuarin, ata ishin prezantuar si mjeshtër të fasadimit, madje kishin negociuar edhe çmimin për lyerjen e shtëpisë së tij.

“Ky plaku shumë kureshtar i sheh me tre kuaj të ngarkum, i pyt: Prej nga jeni? Këta i thojnë: Prej Malishevës. Ai i thotë ça bani ju kështu? Ata i thonë: Lyjmë mirë. Këta i thonë jemi mjeshtër dhe punojmë fasadim. Ka rastisë që ai plaku me i kërku mjeshtrit me ly një shpi. Po këta i thonë për çmime përtej normales. Plaku i thotë: koki mjeshtër të shtrenjtë. Luani i thotë: Të shtrenjtë po, ama lyjmë mirë”, ka rrëfyer Brahimaj.

Ai ka treguar se këtë ngjarje, tre protagonistët ia kishin rrëfyer edhe atij, në kohën kur po renovonte një lokal.

Brahimaj ka thënë se edhe ai ua kishte kthyer me humor, duke i ftuar që të punonin tek lokali i tij, meqë ishin mjeshtër dhe, sipas tyre, lyenin mirë.

“Kur erdhën tek unë, isha duke e ba një renovim të një lokali. Unë masi ma shpjegun këtë ngjarjen, ju thashë: masi jeni mjeshtër e po lyni mirë, hajdeni punoni te unë”, ka treguar Brahimaj./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.