Në parlamentin britanik është diskutuar për situatën në Kosovë. Deputetja konservatore në Parlamentin britanik, Alicia Kearns, derisa ka folur për krizën në veri të Kosovës, ka bërë thirrje që të adresohet me urgjencë kriza në veri të Kosovës dhe ka kërkuar përgjigje nga qeveria britanike për presionin e tepruar të aleatëve ndaj Kosovës.
Bojkotin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore, Kearns e ka quajtur interferim të jashtëm, nga Serbia.
“Po qe se forcat armiqësore ta merrnin në kontroll një zyrë kryetari në Britani të Madhe, ne nuk do të thoshim, epo mirë shko dhe puno nga shtëpia, por do të thoshim që kjo është një përpjekje për ta ngulfatur demokracinë”, ka thënë Kearns në fjalimin e saj.
Ndërkaq, ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme dhe Zhvillimit, në Britaninë e Madhe ka thënë se ka angazhime konkrete të Britanisë së Madhe për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.