
Analisti politik Fidan Rama ka deklaruar në emisionin “Politiko” se e sheh të mundshme përsëritjen e situatës politike të vitit të kaluar, duke u bazuar në qëndrimet e deritanishme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Ramës, nëse rezultatet përfundimtare dhe votat e diasporës i japin Vetëvendosjes numrat që pret, Kurti mund të vazhdojë me të njëjtën qasje për formimin e qeverisë, duke bashkëpunuar me partitë e komuniteteve joshumicë dhe duke hapur më pas diskutimet për zgjedhjen e presidentit.
“Unë e shoh shumë të mundshme përsëritjen e një situate të tillë, marrë parasysh qëndrimet e vazhdueshme të zotit Kurti, i cili ka precizuar në disa raste se nuk ndan pushtet”, ka thënë Rama.
Ai vlerësoi se Kurti konsideron se mbështetja e marrë nga qytetarët është e mjaftueshme për të qeverisur me shumicën që siguron, ndërsa çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet përgjegjësi e të gjithë deputetëve në Kuvend.
Rama shtoi se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për formimin e institucioneve të reja dhe për të parë nëse do të ketë një marrëveshje më të gjerë politike apo do të ndiqet modeli i deritanishëm i qeverisjes.
video e plotë: