
Katër avokatë të komunitetit serb kanë dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së rregullores së BQK-së e cila heq dinarin nga qarkullimi.
Sipas kësaj kërkese rregullorja duhet pezulluar derisa Kushtetuesja të marrë një vendim i cili mund ta konfirmojë ose ta hedhë poshtë atë.
Sipas avokates, Vasilije Arsiq heqja e dinarit nga qarkullimi është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kërkon që rregullorja të vlerësohet për shkak të efekteve të dëmshme për qytetarët serb, pasi që shkel të drejtat themelore të Njeriut.
Në kërkesë ndër të tjera shkruan se rregullorja nuk është në përputhje me nenet 7, 11, 22, 23, 24, 25, 46, 49, 51, 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës, si dhe me nenin 16 të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës.
Ankesa kryesore e avokatëve të shprehur në këtë kërkesë ka të bëjë me nenin 35 të Rregullores së BQK-së, i cili parasheh që euro të jetë valuta e vetme që përdoret për transaksionet me para të gatshme dhe sistemet e pagesave në Kosovë në lidhje me “nenin 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosova dhe nenet 16, 17 dhe 18 të ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.
Në kërkesën e dorëzuar sot, thuhet se kjo dispozitë bie ndesh me dispozitën kushtetuese që çështja duhet të rregullohet qartë me ligj, e jo me akt të BQK-së.
Zbatimi i nenit 35 të dekretit cenon të drejtat themelore të njeriut – në pronë, punë, profesion, shëndet dhe mirëqenie sociale.
Kërkesa është përpiluar nga një ekip avokatësh : Vasilije Arsi, Dragutin Neneziq, Aleksandar Radovanoviq dhe profesori i drejtësisë, Dushan Çeliq./Gazeta10/