
Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj të dyshuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Bansjkë të Zveçanit. Kjo është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, ka deklaruar Gashi.
Ndryshe, sot bëhen një muaj nga sulmi terrorist i Banjskës. Një grup terrorist prej rreth 100 personash sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.