Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Grupi më i madh i hakerëve në botë me video-mesazh kërcënimi ndaj Vuçiqit për Kosovën

Gazeta10
29 December 2022 - 16:31

Grupi i hakerëve “Anonymous” e ka lëshuar një paralajmërim ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ky grup përmes një video-mesazhi e ka paralajmëruar Vuçiqin se në rast se ai nuk i ndalon aktivitetet e rrezikshme në Kosovë, populli i Kosovës nuk do të mbetet pa mbështetje, raporton Gazeta10.

“Ne nuk do të qëndrojmë indiferent përballë këtij terrori. Reagimi ynë si kolektiv do të jetë i prerë dhe i shpejtë. Anonymous nuk është një grup i vogël i pafuqishëm i njerëzve për ta injoruar. Ne jemi të organizuar, globalisht aktivë, kolektiv i individëve me mendësi të njëjtë dhe mesazhi ynë do të jetë i qartë. Nëse nuk i ndaloni veprimet e rrezikshme në Kosovë, populli i Kosovës nuk është pa mbështetje. Ne jemi Anonymous. Ne jemi Legjion. Ne nuk falim. Ne nuk harrojmë. Na prisni neve”, thuhet në reagimin e tyre.

Anonymous në këtë mesazh e akuzon presidentin serb se po përdor taktikat e Millosheviqit, për kërcenim të integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Tutje në mesazhin e tyre Anonymous ka përmendur edhe sulmet ndaj gazetarëve dhe dhunën ndaj policisë duke i dërguar mesazh Vuçiqit që kjo nuk harrohet dhe do të marrin masa ndaj tyre.

“Anonymous” është një prej grupeve më të mëdha të hakerëve në botë, aktualisht edhe shumë aktiv në Ukrainë./Gazeta10

Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.