
Komentatori politik Halil Matoshi në Politiko ka theksuar se kujtesa për masakrën e Reçakut dhe për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk është vetëm detyrim institucional, por para së gjithash obligim i brezave. Ai tha se kujtesa duhet të trashëgohet te gjeneratat e reja si pjesë e identitetit historik të popullit shqiptar, shkruan Gazeta 10.
“E para, është obligim i brezave kujtesa, jo vetëm kujtesa institucionale që është obligim i strukturave të organizuara të një shoqërie politike e të një shteti, por kujtesa është obligim i brezave tanë, të cilën ne duhet t’ua lëmë trashëgimi dhe ata ta pranojnë”, deklaroi Matoshi.
Sipas tij, ruajtja e kujtesës së freskët për gjenocidin e ushtruar nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës kërkon përmendjen dhe nderimin e emrave konkretë të viktimave, veçanërisht të fëmijëve të vrarë. Ai kujtoi rastin e vitit 1988 në Drenicë, kur u vra fëmija Valmir Deliu me biberon në gojë, duke theksuar se fotografia e tij do të duhej të shkaktonte “tronditje globale”.
Matoshi rikujtoi se gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 1.700 fëmijë nën moshën 15 vjeçare dhe theksoi se masakra e Reçakut u bë çështje ndërkombëtare falë angazhimit të ambasadorit William Walker, të cilin e quajti “engjëll mbrojtës”.
“Reçaku së paku është bërë çështje globale, ku edhe engjëlli ynë mbrojtës William Walker e bëri çështjen tonë lokale, çështje universale botërore. Jemi sot ku jemi falë tyre”, tha ai, duke përmendur edhe figurat si Valmir Deliu dhe Leutrimi, për të cilin tashmë është vendosur bust në Skenderaj.
Matoshi vlerësoi sakrificën titanike të luftëtarëve të lirisë, të cilët u përballën me mungesë ushqimi e veshmbathjeje, duke bartur armë më të rënda se pesha e trupit të tyre, nga Shqipëria përmes bjeshkëve të pakalueshme. Ai theksoi se populli i Kosovës nuk duhet t’i harrojë këta dëshmorë.
Në fund, ai theksoi se nderimi më i madh për ta është çmimi i lirisë dhe respektimi i lirisë së tjetrit.
“Për hir të tyre duhet ta çmojmë lirinë, ta çmojmë lirinë e tjetrit e jo vetëm atë anën egoiste të lirisë. Liria ime fillon aty ku përfundon liria e tjetrit”, u shpreh Matoshi, duke bërë thirrje për respektim të lirisë së shprehjes, të fjalës dhe të dallimeve gjuhësore, kulturore e komunitare./Gazeta 10
Deklarata e plotë: