Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Hamza nga Prizreni: Më 7 qershor, të zgjedhim ndryshimin përballë krizës

Gazeta10
23 May 2026 - 23:59

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka marrë pjesë sonte në Prizren në prezantimin e kandidatëve për deputetë nga kjo komunë, ku para qindra qytetarëve ka shpalosur vizionin e PDK-së për ta nxjerrë Kosovën nga kriza ekonomike, politike dhe sociale.

Hamza tha se qytetarët e Kosovës po përballen çdo ditë me rritje të çmimeve, paga të pamjaftueshme, pasiguri ekonomike dhe mungesë perspektive, si pasojë e keqqeverisjes së gjashtë viteve të fundit.

“Kosova është në krizë. Politike. Ekonomike. Shoqërore. Për gjashtë vite kemi dëgjuar arsyetime, premtime dhe viktimizim. Por qytetarët sot jetojnë më keq se para gjashtë viteve”, deklaroi Hamza para qytetarëve prizrenas.

Ai theksoi se zgjedhjet e 7 qershorit janë një vendim mes stagnimit dhe ndryshimit, mes politikës së konflikteve dhe politikës së rezultateve konkrete për qytetarët.

Sipas Hamzës, Kosova ka nevojë për një qeveri që fokusohet në zhvillim ekonomik, rritje të pagave e pensioneve, investime të reja dhe përmirësim të shërbimeve publike.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër kritikoi mungesën e projekteve zhvillimore dhe raportet e tensionuara me aleatët ndërkombëtarë, duke theksuar se Kosovës i duhet stabilitet dhe lidership i përgjegjshëm.

Hamza tha se fokusi i tij si Kryeministër do të jetë krijimi i vendeve të punës, rritja e pagave, zhvillimi ekonomik, mbështetja e bizneseve vendore, investimet strategjike dhe kthimi i besimit të qytetarëve në shtet.

Në fund të tubimit, ai u bëri thirrje qytetarëve që më 7 qershor të mbështesin ndryshimin dhe vizionin e PDK-së për zhvillim dhe mirëqenie.

“Ka vetëm një zgjedhje për ta ndalur krizën. Ka vetëm një zgjedhje për ta ndryshuar Kosovën. Më 7 qershor: STOP krizës. Ndrysho Kosovën. Voto PDK”, përfundoi Hamza.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.