
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është i zhgënjyer me vendimin e Kosovës për të mos e shtyrë afatin për riregjistrimin e targave, raporton Gazeta10.
Hill ka thënë se përpos i zhgënjyer është edhe i shqetësuar për këtë vendim prapa së cilit po qëndrohet pavarësisht rekomandimeve nga SHBA-ja, Bashkimi Europian si dhe QUINT-i.
“Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, ka thënë se është i zhgënjyer dhe i shqetësuar për vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos zgjatur afatin për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe, pavarësisht ftesave nga SHBA, Bashkimit Evropian dhe QUINT-i”, shkruan Danas, transmeton Gazeta10.
Tutje, Hill ka thënë se kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe se ata janë të zhgënjyer për këtë refuzim të Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat e partnerëve më të afërt të saj.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë periudhën e zbatimit të riregjistrimit të automjeteve. Jemi të zhgënjyer dhe të shqetësuar për refuzimin e Qeverisë së Kosovës për të pranuar kërkesat dhe këshillat e partnerëve të saj më të afërt ndërkombëtarë për këtë çështje”, tha Hill për Blic.
Hill ka thënë se mirëpret vazhdimin e dialogut dhe ka bërë thirrje që të dyja palët të jenë në tavolinën e bisedimeve.
“Ai shtoi se mirëpret vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e Brukselit dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë të marrin pjesë në atë dialog”, shkruan Danas. / Gazeta10