
Sazan Ibrahimi – Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka deklaruar se më 23 gusht, do t’i padisin Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë. Kjo pasi janë dëmtuar me mbi 35 milionë euro, për shkak të një kontrate kolektive që ishte nënshkruar nga niveli qendror, e që barra ju kishte rënë komunave.
Ibrahimi në një intervistë për KP, ndër të tjera ka folur edhe për investimet kapitale dhe zhvillimin ekonomik, për çka thotë se mbi 100 milionë euro nuk janë investuar në nivelin lokal.
Komunave, sipas tij, iu ka dalë problem mjaft i madh me zbatimin e kontratës kolektive. Kjo pasi qeveria ka detyruar që ajo të zbatohet me para të komunave.
“Më 23 gusht përfaqësuesit ligjor dhe juridik të komunave të Republikës së Kosovës, do të deponojnë padi ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, komunat janë mobilizuar dhe të gjitha së bashku të martën do ta deponojmë padinë. Në bazë të analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës, vlerësohet se dëmi i cili i është shkaktuar komunave me zbatimin e kontratave kolektive duke iu marrë mjetet financiare komunave, është mbi 35 milionë euro dhe ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë përsëri që këto mjete t’iu barten komunave në mënyrë që projektet kapitale, të cilat janë të parapara të zbatohen me këto mjete financiare dhe të gjejnë zbatim. Pra, të gjitha këto mjete financiare shkojnë drejtpërdrejt në dobi të qytetarit. Ju janë marrë padrejtësisht komunave sepse kontratat janë nënshkruar nga niveli qendror, kurse barra financiare i ka rënë komunave”, thotë ai.
Ndërsa, lidhur me investimet kapitale, Ibrahimi thotë se mjetet e parapara janë shpenzuar.
Sipas tij, shumë projekte të cilat kanë qenë të parapara të investohen në komunat e Kosovës janë ndaluar nga niveli qendror për shkak të mosfunksionalizimit të bordit të OSHP-së.
“Është parë që rreth 11% e të gjitha mjeteve financiare në Republikën e Kosovës të parapara apo të destinuara për investime kapitale janë shpenzuar. Kjo është për keqardhje sepse është hera parë që është duke ndodhur një gjë e tillë, se një përqindje jashtëzakonisht e vogël e investuar në Republikën e Kosovës, dhe me këtë edhe zhvillimi ekonomik lokal nuk është duke ndodhur për shkak se nuk ka investime por gjithashtu mund të themi se shumë projekte të cilat kanë qenë të parapara të investohen në komunat e Kosovës, janë ndaluar nga niveli qendror për shkak të mosfunksionalizimit të bordit të OSHP-së, ku janë mbi 80 apo 100 milionë euro të cilat në nivelin lokal nuk janë investuar, po ashtu edhe rritja e çmimeve. Kjo përqindje e ulët në investime kapitale ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në operatorët ekonomik privat”, vijoi Ibrahimi.
Teksa ka folur edhe për shqetësimin e drejtorëve komunal për furnizimin me librat shkollor.
“Me dijeninë tonë vetëm në një komunë janë dërguar librat shkollor dhe po presim që furnizim me librat shkollor të ndodhë edhe në komunat tjera sepse është koha jashtëzakonisht e shkurt. Shpresojmë që MASHT-i ta marrë këtë shumë më seriozisht dhe jo të veprojë si vitin e kaluar”, thotë Ibrahimi, duke shtuar se të gjitha shënimet të cilat janë të kërkuara nga niveli qendror drejtuar nivelit lokal janë përmbushur dhe pritet që niveli qendror t’i dërgojë librat shkollor në komunat e Kosovës.