
Kryparlamentari, Glauk Konjufca ka thënë se bojkotimi i organizuar i serbëve për Institucionet e Republikës së Kosovës, është skenar me dirigjent Aleksandar Vuçiq.
Sipas Konjufcës, Serbia hallin e ka tek propozimi franko-gjerman, teksa sipas tij, targat nuk lidhen esencialisht me zhvillimet që po ndodhin.
“Unë mendoj që kjo ka pasë me ndodhë herëdokur, por Serbisë i është nevojitur një shkas. Kësaj radhe shkasin e ka gjetur te targat. Nëse e bëni një krahasim të humbjeve që i ka përjetuar Serbia me targat, ato të mëparshmet kanë qenë më substanciale”, ka thënë Konjufca në Klan Kosova.
Ai ka thënë se Serbia po kalon nga Plani A në Planin B për Kosovën.
“Targat më shumë janë shkasi i një beteje që Serbia e ka filluar, apo më mirë kalim në Planin B nga Plani A që e ka pasur Kosovën”, ka thënë ai.