
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot Këshillin Politik të PDK-së me të cilin kanë diskutuar për gjendjen në veri si dhe për temat të brendshme të partisë së tyre, raporton Gazeta10.
Krasniqi ka thënë se ata kanë shprehur shqetësimin për gjendjen në veri të Kosovës.
Më tej, ai ka thënë se injorimi i kësaj situate po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve, teksa ka bërë thirrje edhe njëherë që Qeveria të mos dorëzohet para barrikadave.
Tutje, ai ka thënë se me Këshillin Politik kanë diskutuar edhe për pranimin e PDK-së me të drejta të plotë në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Europës.
Më tej, ai ka thënë se kanë folur edhe për ecurinë e zgjedhjeve rinore të këtij subjekti.
Këtu keni postimin e plotë:
“Sot kam takuar Këshillin Politik të PDK-së, me të cilin kemi diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë. Bashkë me Koordinatorin, Akademik Arsim Bajrami, kemi shprehur shqetësimin e madh me realitetin e ri i cili po tentohet të krijohet në pjesën veriore të Kosovës.
Injorimi që Qeveria ia ka bërë kësaj situate vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve. Edhe një herë, i bëjmë thirrje Qeverisë që mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk kërkon kompromis, por lidership shtetëror.
Me Këshillin Politik kemi diskutuar edhe për pranimin me të drejta të plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE). Pranimi në ALDE vjen si konfirmim i përbrendësimit të vlerave evropiane dhe njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti.
Në një takim të ndarë kam takuar edhe Kryetarët e Degëve të PDK-së, me të cilët diskutuam për zhvillimet politike, projektet komunale dhe, me theks të veçantë, diskriminimin që Qeveria po u bën komunave që udhëhiqen nga PDK.
Me Kryetarët e Degëve folëm edhe për ecurinë e zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës, të cilat, këtë herë, do të shënojnë një sukses të jashtëzakonshëm për demokracinë dhe fuqizimin e partisë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook. / Gazeta10