
Komunikatori politik, Krenar Shala, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas rezultateve të dobëta zgjedhore, duke theksuar se dorëheqjet në kryesi të partisë do të ishin veprime të pritshme.
Sipas tij, tashmë vet kryetari në dorëheqje po e paralajmëron një valë të tillë përgjegjësie, prandaj nuk do të ishte e çuditshme që secili anëtar i kryesisë të ofronte dorëheqjen.
Shala vlerëson se debakli i LDK-së është goditje e rëndë për demokracinë në vend, pasi krijon vakum politik që, sipas tij, mbetet i paqartë se kush do ta mbushë.
Ai shton se nuk sheh shpresë që partia do të këndellet shpejt, duke përmendur disa arsye, ndër to edhe faktin që Lumir Abdixhiku nuk dha dorëheqje në natën e publikimit të rezultateve zgjedhore.
“Fatkeqësisht LDK ka pësuar debakël dhe kjo është fatkeqësi për demokracinë. Nuk e di kush do ta mbushë vakumin e kësaj humbjeje. Nuk shoh shpresë që kjo parti do të këndellet së shpejti”, u shpreh ndër të tjera Shala në Politiko./Gazeta10