
Është lansuar platforma dhe këndi “Made in Kosova” që synon të ndërtojë një imazh ndërkombëtar të Kosovës përmes misioneve diplomatike dhe konsullore. Përmes të njëjtit pritet të tërhiqen investimet e huaja në Kosovë si dhe do tu mundësohet bizneseve vendore të hyjnë në tregje të reja ndërkombëtare.
Kryeministri Albin Kurti tha se platforma “Made in Kosova” nuk është simbolike, por do të përmbajë informata të detajuara për dhjetë sektorët kyç të vendit, me shifra që do t’iu shërbejnë investitorëve potencial në Kosovë.
“Ky projekt paraqet potencialin, kreativitetin dhe veprimtarin e vendit tonë drejt një njohje të gjerë të një tregu ndërkombëtar përmes misioneve tona diplomatike dhe konsullore. Hapa si ky që jemi mbledhur sot është hap përpara dhe çdo hap përpara shton dritë në rrugën që na pret… Sot shpalosim platformën MIK që jo rastësisht nënkupton Made in Kosova.
Platforma Made in Kosova nuk është simbolike por përmban informatat të detajuara për dhjetë sektorët kyç të vendit tonë, me shifra që jo vetëm që iu shërbejnë investitorëve potencial por tregojnë transparencën që qeveriset vendi ynë… Synimi i platformës dhe këndit Made in Kosova është që të ndërtojë një imazh të fuqishëm dhe besueshëm të Kosovës duke shtrirë mundësitë për bizneset vendore për të hyrë në tregjet e reja dhe për të tërhequr investime të huaja”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se përmes përhapjes së kësaj iniciative Kosova do të bëhet një aktor i rëndësishëm në skenën globale.
Ajo tha se platforma MIK do të ofrojë informata rreth industrive kryesore të Kosovës, të bërit biznes në Kosovë, turizmit dhe eksportit.