Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Masa e qortimit nga 1 nëntori, MPB thotë se pas 3 javësh do të shqiptohet gjoba 150 euro

Gazeta10
31 October 2022 - 19:41

Raporti Gresa Bardhecaj/Kanal10

Nga data 1 nëntor vozitësit që qarkullojnë me targa ilegale serbe do t’u shqiptohet letër e qortimit si masë e parë për mos zëvendësimin e targave ilegale në ato RKS. Qytetarët serbë kanë thënë se me këtë vendim nuk kanë përfituar as serbët as shqiptarët. Pas masës së qortimit do të shqiptohet gjoba në vlerë 150 euro, kurse pas datës 21 prill nuk do të lejohet të qarkullojë veturat me targat ilegale serbe në Kosovë, shkruan Kanal10.

Kështu duket letra e qortimit që do t’u shqiptohet ngasësve të automjeteve që qarkullojnë me targa ilegale serbe nga data 1 nëntor në territorin e Republikës së Kosovës.

Kjo është njëra nga masat e para që do t’u shqiptohet vozitësve, derisa konvertimin e targave ilegale në RKS, qytetarët serbë kanë pasur mundësi që ta bëjnë deri më 31 tetor.

Të hënën pas mesnate do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkallëzimin e vendimit për targat ilegale serbe.

Masa e parë që do të aplikohet është masa e qortimit e cila do të zbatohet në kohëzgjatje prej 3 javësh.

Verojlub Petronic qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, ka thënë se me këtë vendim nuk kanë fituar as serbët as shqiptarët dhe as Qeveria e Kosovës.

“Konflikti do të vazhdojë, sipas mendimit tim Kurti nuk ka çfarë t’u ofrojë as shqiptarëve, as serbëve në Kosovë. Ai ka premtuar luftë kundër korrupsionit, të cilën nuk e ka zhvilluar siç duhet, dhe ai po koncentrohet në atë që gjithmonë zgjon reagime e që është një konflikt ndër-etnik mes serbëve dhe shqiptarëve.  Kurti nuk dëshiron të heqë dorë nga tema e targave, për shkak të rëndësisë që kanë ato për serbët e Kosovës, e kjo është se për ta kjo është pjesë e identitetit dhe ata e kuptojnë se Kurti dëshiron ta zbatojë ligjin, por nëpërmjet kësaj dëshiron të marrë një pjesë të identitetit të tyre”, tha Verojlub Petroniq –OJQ Human Center Mitrovica.

Pak para hyrjes në fuqi të vendimit të ri, Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë sqarime lidhur me targat.

Nga 1 nëntori, ndaj vozitësve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar veturat e tyre me targa RKS.

Nga 21 nëntor deri më 21 janar, të gjithë pronarët e automjeteve që qarkullojnë me targa ilegale do të gjobiten më 150 euro.

Kurse nga data 21 janar deri më 21 prill pronarët e veturave duhet të pajisen me targa provuese, kurse pas kësaj datë nuk do të lejohen të hyjnë apo të qarkullojnë në Kosovë veturat me targat ilegale.

Për vendimin e ri për targat kanë reaguar sërish nga Serbia. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se serbët në Kosovë, nuk duan targa të tjera përveç atyre që i kanë mbajtur deri më tani.

Njohësi i çështjeve politike Emir Azemi ka thënë se ky është një vendim i mirë, pasi për 23 vite nuk ka pasur vullnet të serbëve për ndërrimin e targave ilegale.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës ishin shprehur të zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët kishin kërkuar shtyrjen e vendimit për 10 muaj. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.