Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Mbi 200 milionë euro” – Zekolli-Shaqiri për autostradën Shkup–Bllacë

Gazeta10
19 August 2026 - 19:31

Zëvendësministrja e Infrastrukturës, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, ka folur për projektin e autostradës Shkup–Bllacë, duke theksuar se projekti përbëhet nga dy faza dhe se pjesa e dytë ka një kosto prej mbi 200 milionë eurosh.

Në një lidhje direkte për Kanal 10, në emisionin “Gazeta”, Zekolli-Shaqiri tha se faza e parë, prej rreth 2 kilometrash, kishte nisur të ndërtohej më shumë se një dekadë më parë, por kur erdhi në pushtet Qeveria, kjo pjesë ishte ende e papërfunduar.

“Si Qeveri, para dy vitesh, këtë 2-kilometërsh, i cili kishte filluar të ndërtohej para më shumë se një dekade, e hasëm të papërfunduar. Të njëjtin e përfunduam, por si i tillë nuk kryente punë, sepse duhej të lidhej me pjesën e dytë”, deklaroi ajo.

Sipas Zekolli-Shaqirit, faza e dytë e projektit përfshin rreth 10.5 kilometra dhe konsiderohet ndër projektet më të kushtueshme të infrastrukturës.

“Pjesa e dytë, 10.5 kilometra, është një ndër projektet më të kushtueshme në Evropë, me një kosto diku mbi 200 milionë euro”, tha Zekolli-Shaqiri.

Ajo theksoi se përfundimi i të gjithë këtij projekti është i domosdoshëm, pasi vetëm segmenti i parë nuk e përmbush funksionin e synuar pa u lidhur me pjesën e dytë të autostradës.

Autostrada Shkup–Bllacë paraqet një nga projektet e rëndësishme infrastrukturore për lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën, ndërsa përfundimi i saj pritet të lehtësojë qarkullimin dhe lidhjen ndërmjet dy vendeve.

Videon e plotë të intervistës së Kaltrina Zekolli-Shaqirit në Kanal 10 e gjeni të bashkangjitur./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.