
Gjatë vizitës në SHBA, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së Bashkim Jashari janë takuar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri Mehaj, përmes një postimi në Facebook.
Ai tha se me Escobar kanë biseduar për “situatën e sigurisë në vend dhe rajon, bashkëpunimin që kemi me misionin e KFOR-it dhe NATO-s”, derisa ka shtuar se e ka njoftuar “për politikat destabilizuese të cilat po i ndjek pala serbe përmes shpërndarjes së informatave të pavërteta, bashkëpunimit me Federatën Ruse, dhe presionit të vazhdueshëm që ushtrojnë mbi qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të komunitetit serb, të cilët jetojnë në pjesën veriore të vendit”.
Gjithashtu, Mehaj ka shkruar se Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, derisa ka shtuar se vendosja e 48 bazave ushtarake afër kufirit të Kosovës “nuk e ndryshon faktin se rendi i ri në Ballkan është i pandryshueshëm”.
“Fatkeqësisht, të njejtën gjë nuk mund ta themi për palën serbe, të cilët vazhdojnë të mos vendosin sanksione për Federatën Ruse, ndonëse po shohin çdo ditë ashtu si e gjithë bota agresionin rus dhe krimin ndaj popullit ukrainas, duke dëshmuar kështu edhe njëherë më e pakta paaftësinë e tyre për t’u shkëputur nga politikat ruse, nëse jo dhe faktin që e kaluara e Ballkanit Perëndimor nuk ka shërbyer për ta për të nxjerrur mësim, për të kuptuar se rendi i ri në ballkan është i pandryshueshëm, andaj vendosja e 48 bazave ushtarake afër kufirit të Republikës së Kosovës nuk do e ndryshoj këtë fakt, përveçse shpërfaq hapur një klasë politike të një mendësie të vjetër me pikëpamje shumë larg vlerave demokratike të Bashkimit Evropian, dhe edhe më larg qëllimit të NATO-s”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj në fund ka shtuar se “rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka një destinacion final”.
“Megjithatë, rrugëtimi i Republikës së Kosovës ka një destinacion final, anëtarësimin në BE dhe në NATO, aty ku gjeografisht gjendemi, dhe parimisht ndajmë vlera të përbashkëta, një mision për të garantuar ruajtjen e paqes në vend, rajon dhe më gjerë”, ka shkruar ai./Gazeta10.