
Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj deklaratës së Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit se Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja Albulena Haxhiu po punojnë me agjenda politike.
Sipas reagimit, kjo ministri asnjëherë nuk do të hesht ndaj performancës së dobët të gjyqësorit, transmeton Gazeta10.
Në reagim thuhet se deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor mbi mundësimin e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit, duke kujtuar se pavarësia reflektohet në vendimmarrje dhe jo në numër final të gjeneruar nga vetë prokuroritë dhe gjykatat.
“Sistemi gjyqësor kundërshton këto statistika dhe pretendon në një realitet tjetër. Po kush mund ta dijë cilat janë statistikat e vërteta të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial? Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpien te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do t’i lejohej veprim tjetër. Qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve. Qasja në statistika nuk kërcënon pavarësinë e gjyqësorit”.
Ministria e Drejtësisë kërkon një gjyqësor të pavarur dhe me veprim të bazuar në ligj, duke thënë se Qeveria dënon veprimet jo të ligjshme e të ndikuara të sistemit gjyqësor.
“Veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura sot gjatë konferencës për media, janë të shkruara dhe të hapura për publikun. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar ndaj reformës dhe ndryshimeve të domosdoshme në sistemin e drejtësisë, në raport me kërkesën e votuesve e nevojën e qytetarëve. Për këtë qëndrojmë të hapur ndaj bashkëpunimit ndër institucional por, assesi nuk do të heshtim ndaj rezultatit e performancës së dobët, që rezulton me veprime e reagime kërcënuese ndaj mirëqenies”, përfundon reagimi.
Reagimi i MD-së, vjen pasi Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit sot thanë se prononcimet publike të Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial./Gazeta10