
Analisti politik Fidan Rama ka vlerësuar se mungesa e një muzeu që dokumenton krimet e luftës në Kosovë mbetet një boshllëk i madh institucional dhe historik.
Gjatë emisionit “Adresa” në Kanal10, Rama tha se është e çuditshme që, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, Kosova ende nuk ka një muze të dedikuar për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Sipas tij, kjo e bën të vështirë që vizitorët e huaj të kuptojnë në mënyrë të plotë atë që ka ndodhur në Kosovë.
“Është e çuditshme që mungon një muze për krimet e luftës në Kosovë. Besoj se kjo është e çuditshme për mua, për ju dhe për të gjithë kolegët e tjerë. Kur një i huaj vjen në Kosovë dhe dëshiron të mësojë për luftën, e kemi problem ta drejtojmë në një vend ku mund ta kuptojë tërësisht se çfarë ka ndodhur”, tha Rama.
Ai theksoi se Kompleksi Memorial në Prekaz përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së luftës dhe të rezistencës, por shtoi se mungon një mekanizëm i mirëfilltë që pasqyron në mënyrë gjithëpërfshirëse krimet e luftës dhe i prezanton ato para publikut vendor dhe ndërkombëtar.
Sipas Ramës, krijimi i një muzeu për krimet e luftës do të shërbente si një hap i rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në informimin e brezave të rinj dhe vizitorëve ndërkombëtarë për ngjarjet e luftës në Kosovë.
Për më shumë, ndiqeni videon e plotë të intervistës në Kanal10.