
Që nga 1 shtatori grevës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës pritet t’i bashkohet edhe Sindikata e Judikaturës të Kosovës. Nga kjo sindikatë kanë thënë se nëse kërkesat e sindikalistëve nuk plotësohen, nga një shtatori mund të fillojnë me bojkotimin e punës në gjykata e prokurori. Njohës të drejtësisë thonë se me veprime të tilla, do të bllokohen edhe më shumë proceset gjyqësore, shkruan Kanal10.
Grevës së përgjithshme të punëtorëve të sektorit publik, nga 1 shtatori pritet ti bashkohen edhe punëtorët e administratës të gjykatave dhe prokurorive në vend.
Në rast të mos realizmit të kërkesave të tyre, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës ka njoftuar se do të pezullojnë punën në gjykata e prokurori.
Bahri Jashari, kryetar i kësaj sindikate ka treguar se tashmë kanë filluar përgatitjet për të hyrë në grevë.
Derisa, Jashari ka thënë se kanë një kërkese të veçantë për qeverinë.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë thënë se gjatë javës së ardhshme do të mbajnë mbledhje dhe do të dalin me qëndrim zyrtar për Projektligjin për Pagat dhe Projektligjin për Zyrtarët Publik përfshirë këtu, edhe për çështjen e grevës.
Ndërsa, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas avokatit Arbër Jashari, në rast se gjykata e prokuroria hyjnë në greva, do të ketë bllokim të shumë proceseve gjyqësore.
Punëtorët e administratës në gjykata e prokurori patën hyrë në grevë të përgjithshme edhe gjatë muajit mars të këtij viti.
Ata patën kërkuar përafërimin e pagave të punëtorëve të administratës në raport me ato të gjyqtarëve e prokurorëve, pagesa lineare nga 150 euro, e shujta ditore. /Gazeta10