Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Nga burgim i përjetshëm në 30 vjet: Supremja ndryshon vendimin për Edmond Lajçin që u dënua për vrasjen e gruas

Gazeta10
16 July 2026 - 16:39

Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin ndaj Edmond Lajçiq, duke e dënuar atë me 30 vjet burgim, pasi që i njëjti, më herët ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas.

Në njoftim thuhet se Supremja, ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë vërtetuar drejt gjendjen juridike lidhur me fajësinë e të pandehurit dhe cilësimin juridik të veprave penale, ndërsa nuk ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje të ligjit penal në këtë aspekt.

‘’ Gjykata Supreme ka theksuar se burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit’’, thuhet mes tjerash në njoftim.

Komunikata:

Gjykata Supreme ndryshon vendimin për rastin e E.L., i shqipton dënim me 30 vjet burgim

Prishtinë, 16 korrik 2026 – Gjykata Supreme e Kosovës, duke vendosur lidhur me ankesën e mbrojtësit të të pandehurit E.L., dhe përgjigjen në ankesë të përfaqësueses së autorizuar të palës së dëmtuar, ka aprovuar pjesërisht ankesën dhe ka ndryshuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, sa i përket vendimit për dënimin.

Gjykata Supreme ka vendosur që të pandehurit E.L., i shpallur fajtor për veprat penale vrasje e rëndë, nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i Kodit Penal, t’i shqiptohet dënimi me 30 (tridhjetë) vjet burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 16 prill 2024.

Në pjesët tjera, aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit kanë mbetur të pandryshuara.

Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat e instancave më të ulëta kanë vërtetuar drejt gjendjen juridike lidhur me fajësinë e të pandehurit dhe cilësimin juridik të veprave penale, ndërsa nuk ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale apo shkelje të ligjit penal në këtë aspekt. Po ashtu, ka vlerësuar se, pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri, pretendimet ankimore për vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike nuk ishin të lejuara sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Megjithatë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk e kanë zbatuar drejt nenin 41 të Kodit Penal lidhur me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm. Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, një pjesë e rrethanave të konsideruara si veçanërisht rënduese nuk kanë pasur mbështetje në prova, ndërsa disa prej tyre përbëjnë elemente të vetë veprës penale dhe, për këtë arsye, nuk mund të justifikojnë shqiptimin e dënimit më të rëndë, të paraparë me ligj.

Gjykata Supreme ka theksuar se burgimi i përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur ekzistojnë rrethana veçanërisht rënduese që e dallojnë qartë rastin konkret nga rastet e zakonshme të së njëjtës vepër penale dhe kur një dënim më i butë nuk do të ishte proporcional me peshën e veprës dhe fajësinë e kryerësit.

Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk është plotësuar ky standard ligjor.

Duke u mbështetur në parimin e individualizimit dhe proporcionalitetit të dënimit, si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata Supreme ka vlerësuar se dënimi me 30 vjet burgim është proporcional me peshën e veprës penale, shkallën e fajësisë dhe rrezikshmërinë e të pandehurit dhe se me këtë dënim mund të realizohet qëllimi i dënimit, si në aspektin e parandalimit individual ashtu edhe të atij të përgjithshëm.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.