Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Njeriu i partisë i pari në listën e të pranuarve

Gazeta10
21 September 2022 - 19:34

Raporti: Egzona Shala/Kanal10

Punësimet partiake në institucione publike vazhdojnë të jenë gjëra të zakonshme në Kosovë. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi edhe në Komunën e Kamenicës, në një konkurs për zyrtar të burimeve njerëzore. Nga shumë kandidatë, Komuna ka përzgjedhur si personin e duhur njeriun e partisë. Nga opozita komunale e kanë kritikuar këtë dukuri, që sipas tyre, po ndodhë vazhdimisht, shkruan Kanal10.

Punësimet mbi baza partiake nuk kanë të ndalur në Kosovë.

Një tjetër përpjekje për t’i bërë vend përkrahësit të partisë, është bërë në Komunën e Kamenicës, që udhëhiqet nga Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje.  

Më 15 shtator të këtij viti nga konkursi për Specialist të Ekonomisë në qytetin e Kamenicës, me më shumë pikë i prin listës kandidati Labinot Dërmaku.

Nga aktiviteti i tij në rrjete sociale shihet se ai është përkrahës dhe aktivist i partisë në pushtetin komunal.

I kontaktuar nga televizioni, kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj nuk ka pranuar të prononcohet për rastin, duke thënë se konkursi aktualisht është në fazën e ankesave.

Ndërkohë, Kanal10 ka provuar të kontaktojë edhe me kandidatin Dermaku, por ai ka qenë i paqasshëm.

Kurse, për rangimin si i dyti në listë është ankuar kandidati tjetër, Valon Jakupi.

Ai thotë se ditë më parë ka pranuar një e-mail ku thuhet se është fitues i konkursit, ndërsa më vonë është publikuar se ai nuk është i pari në listë.

Jakupi ka thënë se është duke pritur përgjigje nga ankesa të cilën e ka adresuar.

Kurse, kryesuesja e komisionit vlerësues, Afërdita Tahiri, në një përgjigje për Kanal10, ka thënë se kriteret e aplikuara në këtë konkurs kanë qenë sipas ligjit, derisa nuk ka dhënë detaje nëse paraprakisht ka pasur njohuri se kandidati i përzgjedhur është i aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, nga opozita në Komunën e Kamenicës, kanë thënë se vetëm gjatë një viti mandat të kryetarit aktual, deri më tani janë dhjetëra militantë të partisë që janë punësuar në institucione publike.

Punësimet partiake në institucionet publike ndër vite kanë qenë probleme të patejkalueshme në Kosovë. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.