
Profesori i shkencave politike, Basri Muja në Politiko ka kërkuar transparencë nga Lidhja Demokratike e Kosovës për qëndrimet dhe alternativat e tyre ndaj krizës aktuale politike në Kosovë.
Ai ka thënë se publiku duhet të informohet qartë për propozimet konkrete të Lidhjes Demokratike të Kosovë, duke pyetur nëse partia ka ndonjë alternativë reale për daljen nga kriza institucionale apo nëse po vazhdon vetëm me refuzime pa ofruar zgjidhje.
Sipas Mujës, situatat kur partitë politike refuzojnë opsione të ndryshme pa paraqitur alternativa konkrete krijojnë bllokadë institucionale. Ai ka theksuar se për këto bllokada, qytetarët e Kosovës kanë dhënë verdikt në zgjedhjet e fundit.
“Situatat ku partitë politike refuzojnë gjithçka, por nuk ofrojnë asgjë, janë bllokada. Dhe për bllokada, elektorati kosovar ka dhënë verdiktin në zgjedhjet e fundit”, tha Muja në Politko.
Muja u shpreh se kishte pritur që subjektet politike, përfshirë LDK-në, të kishin marrë mesim nga rezultatet zgjedhore, por sipas tij kjo nuk po shihet në praktikë.
“Kam pasur menduar se LDK-ja e ka marrë mësimin nga këto zgjedhje dhe, si duket, nuk është ashtu”, shtoi Muja.
Ai tha se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke i cilësuar ato të panevojshme, pasi zgjedhjet e fundit janë mbajtur para vetëm disa muajsh dhe kanë prodhuar një “vendim të qartë plebishitar”.
Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk do të sjellin ndryshime të mëdha në raportet politike, duke paralajmëruar se pas një cikli të ri zgjedhor vendi mund të përballet sërish me të njëjtat probleme dhe humbje kohe në proceset institucionale.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/ghvES_M1lhY