
Një nga iniciativat kryesore të Qeverisë aktuale për reformimin e sektorit të Drejtësisë është procesi i një Vetingu të ri. Kjo qeveri fillimisht ka propozuar një Veting të plotë për sektorin e Drejtësisë, por me rekomandimet e Komisionit të Venecias, propozimi fillestar është reduktuar në një Veting të pjesshëm, që do të përfshijë vetëm krerët e sektorit të drejtësisë.
Partitë në pozitë dhe opozitë fillimisht kishin një dakordancë të plotë sa i përket asaj se një proces i ri i Vetingut në drejtësi duhet të bëhet.
Për këtë çështje është formuar edhe një komision ad-hoc nga Kuvendi i Kosovës, e ku kanë marrë pjesë të gjitha partitë politike, duke përjashtuar vetëm Listën Serbe.
Në kuadër të dokumentarit “Vetingu në Drejtësi”, të realizuar nga KDI dhe të transmetuar në emisionin “Politiko” në Kanal10, Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje, vlerëson se Vetingu është një proces dhe një reformë rrënjësore dhe e domosdoshme.
Prandaj sipas tij, kërkon një konsensus të gjerë politik, institucional dhe shoqërorë, raporton gazeta10.
“Sepse bëhet fjalë për ndryshime rrënjësore që e kapërcejnë gjendjen e sistemit aktual në një sistem të pavarur të paanshëm dhe efikas. Në emisionin ad-hoc që është themeluar nga Kuvendi dhe drejtohet nga opozita ka pas atmosferë të mirë të punës dhe konsensus të gjerë sa i përket draft-amandamenteve kushtetuese të cilat i kemi hartuar dhe miratuar tashmë”, ka thënë Rrestemi.
Sipas tij, pjesa tjetër e hartimit të draft-Ligjit është në pritje për shkak se Komisioni po e pret opinionin e Gjykatës Kushtetuese rreth këtyre draft-amandamenteve.
Pro Vetingut është shprehur edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili. Mirëpo sipas saj, ka mangësi në këtë proces.
“Sepse Vetingu të cilin e kemi diskutuar në fillim ka qenë një Veting gjithëpërfshirës, i cili do t’i prekte të gjithë akteret e sistemit të drejtësisë. Ideja ka qenë që ky proces i Vetingut të jetë filtër absolut i sistemit të drejtësisë”, ka thënë ajo.
Vërejtë për këtë proces ka edhe Përparim Gruda nga PDK.
“Ne kemi pas dëshirë që ky proces të jetë i plotë që secili gjyqtar dhe prokuror të kaloj nëpër sistemin e posaçëm dhe të bëhet filtrimi i tij”, ka thënë Gruda.
Ai ka bërë thirrje qe të formohet një Komision i posaçëm i ekspertëve të jashtëm dhe të brendshëm për hartimin nga fillimi të atyre amendamenteve dhe që rezultojnë edhe në konsensusin e plotë politik, raporton gazeta10.
Nga ana tjetër, shefi i GP-të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në takimin e parë të Komisionit e ka dhënë qëndrimin e AAK-së pro reformës në drejtësi. “Por gjatë rrugës kam kuptuar se metoda që po e përdor Lëvizja Vetëvendosje nuk ishte për një reformë të Vetingut për të parë kush je, a je i denjët për të qenë prokuror apo gjykatës, nuk ishte kjo, por në fakt ishte ndikimi politik”, ka thënë Tahiri. Sipas tij, kjo u vërtetua edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Mbas vendimit të Komisionit të Venecias është parë që rrugëtimi dhe synimi ishte politik dhe jo reformues dhe prandaj i kemi ‘quar drutë’”, ka thënë Tahiri.
Ndonëse konsensusi politik mes qeverisë dhe partive politike ka hasur në sfidat e veta, dy partitë opozitare LDK dhe PDK, janë zotuar se do t’i votojnë amendamentet kushtetuese në Kuvend nëse Gjykata Kushtetuese ju jep ‘dritën jeshile’ këtyre amendamenteve. /Gazeta10/