Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Osmani: Befasi e madhe mos ngritja e aktakuzës për Radojiçiqin, çdo ditë duhet të kërkojmë përgjegjësi

Gazeta10
31 Korrik 2024 - 22:21

Presidentja Vjosa Osmani i është bashkuar kryeministrit Albin Kurti në kritikat ndaj Prokurorisë Speciale për mosngritjen e aktakuzës për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Osmani ka thënë se është befasi mos ngritja e aktakuzës për kryeterroristin Millan Radojiçiq, i cili e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Sipas saj, duhet të kërkohe përgjegjësi çdo ditë për këtë çështje.

“Mos të ngritet aktakuzë për dikë që ka kryer aktin më të rëndë ndaj Republikës së Kosovës në këto 25 vite, pra nga 99’ta që ka përfunduar lufta e tutje, është befasi tepër e madhe dhe mendoj që të gjithë ne çdo ditë duhet të kërkojmë përgjegjësi, pse nuk po ngritet aktakuza”, ka deklaruar Osmani sot në konferencë me gazetarët, pas takimit konsultativ që mbajti me liderët e partive për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta.

Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka kritikuar Prokurorinë Speciale për trajtimin e këtij rasti dhe mos ngritjen e aktakuzës.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, më 14 prill të këtij viti, Kurti kishte thënë se edhe po të ishte java e tretë pa aktakuzë do të duhej të problematizohej kjo çështje, e jo që atëherë ishin bërë 30 javë nga sulmi.

“Këtu, më duhet të sjellë ndërmend që sot po hymë në javën e 30 prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit tonë për sulmin terrorist që na e vrau, rreshterin, heroin, Afrim Bunjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej se lërë më java e 30-të në të cilën hymë sot!”, kishte deklaruar Kurti.

Deklarata të ngjashme Kurti kishte dhënë edhe më herët, ku kishte nxitur reagimin e Këshillit Prokurorial.

KPK i kishte kërkuar Kryeministrit që të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial.

“Rrjedhimisht, KPK-ja kërkon nga Qeveria e Kosovës që të lejojë të gjitha organet të veprojnë në përputhje me ligjet dhe autorizimet e vlefshme në vend dhe se këto deklarata i quan paraqitje publike të ricikluara të Kryeministrit që kanë përmbajtje tendencioze ndaj institucionit të Prokurori të Shtetit dhe bazohen në veprime jokorrekte, joetike, të padinjitetshme dhe mbi paragjykime dhe hamendësime të shpeshta, të cilat po bëhen në secilin rast që atij dhe anëtarëve të kabinetit të tij iu jepet mundësia”, thuhej ndër të tjera në reagim.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi përfundon brenda dy viteve.

Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, “gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.