
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se “drafti gjerman” për Asociacionin i prezantuar të enjten në mediat e Kosovës është lajm i rremë dhe se ai nuk ekziston e as nuk do të ekzistojë. Osmani ka përsëritur qëndrimin se asnjëherë nuk do të ketë Asociacion, i cili bie ndesh me Kushtetutën e vendit. Ajo ka folur edhe për iniciativën franko-gjermane, e cila sipas saj, ka për qëllim intensifikimin e dialogut.
Raporti: Hana Marteti.
Lajm të rremë, e ka cilësuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, i cili gjatë së enjtes, është publikuar në media.
Ajo ka thënë se një dokument i tillë, asnjëherë nuk u është dorëzuar institucioneve të Kosovës.
Osmani ka përsëritur qëndrimin se nuk do të ketë Asociacion, i cili bie ndesh me Kushtetutën e vendit dhe sipas saj, një gjë e tillë nuk është kusht nga partnerët ndërkombëtarë.
Sa i përket planit franko-gjerman për procesin e dialogut, presidentja Osmani, ka thënë se javën e ardhshme do të ketë takime me ekipin e presidentit francez, Macron dhe atij gjerman, Scholz.
Megjithatë, e para e shtetit ka thënë se në asnjë mënyrë nuk do të tolerohet cenimi i sovranitetit të Kosovës.
Duke u përgjigjur rreth kërkesës së emisarit amerikan, Gabriel Escobar për shtyrjen prej 10 muajsh të vendimit për targat, Osmani ka thënë se një gjë e tillë është çështje e sundimit të ligjit.
Ajo ka thënë se shtyrja e vazhdueshme e zbatimit të vendimit nënkupton se po tolerohen kërcënimet e bandave kriminale serbe.
Sa i përket liberalizimit të vizave, ajo ka thënë se pret që vendimi për kosovaret të merret me së largu deri në muajin dhjetor, duke shtuar se tani nuk mund të vendosen kritere të reja teknike që do të bllokonin vendimmarrjen politike./Gazeta10