
Kosova tradicionalisht ka qenë një vend prej nga qytetarët e saj largoheshin për të kërkuar mundësi punësimi jashtë vendit. Megjithatë, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në sektorë të tillë si ndërtimi dhe shërbimet, Kosova dalëngadalë po shndërrohet në një destinacion për punëtorët migrantë.
Ndryshe nga shumica e vendeve, Kosova aktualisht nuk ka marrëveshje bilaterale mbi migracionin e punës që do të rregullonte fluksin dhe mbrojtjen e punëtorëve migrantë. Ky ndryshim na vë përballë një sfide – për t’u përgatitur për rolin e ri të Kosovës si vend destinacioni.
“Punëdhënësi e ka pasaportën time, unë nuk mund ta lë punën” – kështu fillon rrëfimi i një punëtore filipinase që përballë sfidave të panumërta, kërkon të drejtat e saj si punëtore migrante në Kosovë.
“Zgjedha të qëndroj këtu sepse nuk dua t’ia nis nga fillimi. Kështu që qëndroj më shumë se një vit, për ata. Nuk mund të shkoj askund sepse ata e mbajnë pasaportën time”, ka thënë ajo.
Ajo tregon që erdhi nga Shqipëria në Kosovë, duke e pare si një mundësi më të mire për të punuar – megjithatë thekson se përveç keqtrajtimit, përballet edhe me orë pune më të gjata se ato që ishin dakorduar në kontratë.
“U përpoqa të flas me ta dhe u thashë që më duhet të marr pasaportën time, sidomos kur duhet të dërgoj para në Filipine, por ata refuzojnë”, ka thënë ajo.
Shqetësimin e njëjtë e ndajnë edhe shumë filipinase dhe punëtorë tjerë migrantë në Kosovë.
Lenny Benitez thotë se shumë prej grave të komunitetit të saj,sfidën kryesore e kanë orarin e tejzgjatur të punës, për të cilin nuk janë dakorduar në kontratë.
“Ka filipinase të cilat punojnë 14, 16 ose 18 orë ndërsa në kontratë u shkruan 8 orë. Çfarë ne kërkojmë është një mbrojtje ligjore dhe disa rregulla që duhet ndjekur”, ka thënë ajo.
Me rritjen e numrit të punëtorëve migrantë nga Azia juglindore dhe vendet fqinje, roli i tyre po bëhet thelbësor për ekonominë e Kosovës. Një nga sfidat kryesore që hasen në punën e përditshme në terren, sipas drejtoreshës ekzekutive të IKS-së, Brikenë Hoxha, shumë prej tyre po përballen me sfida të mëdha ku shpesh punojnë në mënyrë joformale, pa kontrata dhe dokumentacion të rregullt dhe shpesh përballen me kushte të pasigurta pune. Mbrojtja ligjore për ta është e kufizuar, duke i lënë të pambrojtur ndaj shfrytëzimit.
Hoxha bën thirrje që institucionet ta marrin seriozisht këtë fenomen që po rritet çdo ditë e më shumë.
“Kur vijnë këtu janë komplet pa dokumentacion. Ka pasë raste kur punëtoret kanë pasë probleme të shumta shëndetësore, ka qenë e pamundur trajtimi mjekësor i tyre për shkak të dokumentacionit. Ka shumë probleme dhe mendoj se është koha e duhur që institucionet me fillu dhe me marrë ma seriozisht këtë fenomen”
Sipas të gjeturave të IKS-së, në vitin 2022 Ballkani Perëndimor përjetoi një valë të madhe migrantësh, me 192 mijë e 266 të huaj që gjetën vend në këtë rajon. Në Kosovë, gjatë atij viti u regjistruan 1 mijë e 41 punëtorë emigrantë. Ndërkohë këtë vit, nga prilli deri në qershor 2024, janë bërë gjithsej 1 mijë e 938 kërkesa për leje qëndrim.
Por, si vijnë punëtorët migrantë në Kosovë dhe sa lehtë e kanë të futen në territorin e Kosovës?
Sipas Kushtrim Halitit nga Divizioni për të Huajt në MPB, shtetasit e huaj marrin viza nga Shqipëria dhe për shkak të kalimit të lehtësuar të kufirit me Shqipërinë, ata barten me automjete nga Kosova ose Shqipëria dhe kalojnë kufirin pa u kontrolluar.
“Këtu shtetasit e huaj janë fut në njërën anë apo në anën tjetër edhe pa u kontrollu nga vija kufitare dhe kur janë paraqitur për leje të qëndrimet atëherë i kemi verifikuar”, ka thënë Haliti.
Sipas Lenny Benitez, një punëtore filipinase në Kosovë, ajo arriti në këtë vend përmes një agjensie punësimi, e cila është njohur për sjelljen e filipinasve në Kosovë.
“Punoja në Abu Dabi para se të vija këtu. Një mike e imja e njohu një agjente e cila solli filipine këtu”, ka thënë Benitez.
Kanal 10 në bashkëpunim me IKS ka biseduar me agjenten maqedonase.
“Të gjithë klientët e mi kanë leje pune ligjore të miratuara nga Departamenti i Migracionit i Kosovës. Është detyra ime të jap lejen e punës, përndryshe nuk mund ta bëj pagesën.” – ka thënë ajo.
Kushtrim Haliti nga Divizioni për të Huajt bën të ditur se nga janari i këtij viti, MPB ka lëshuar 337 vendime për largim ndaj shtetasve të huaj që janë gjetur në mënyrë të parregullt në Kosovë.
Tutje Haliti shpjegon se si trajtohen kërkesat e shtetasve të huaj që aplikojnë për leje qëndrim, duke bërë thirrje që nëse punëtoret migrantë hasin në probleme si marrja e pasaportës, të drejtohen menjëherë në polici.
“Leja e punës lëshohet nga Agjencia për Punësim në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Transfereve, që është një leje pune afatshkurtër deri në 90-ditore për ata persona që nuk kanë regjim të vizave për me hy në Kosovë, ndërsa për shtetasit e tjerë të cilët kanë nevojë për regjim të vizave për me ardh në Republikën e Kosovës duhet të aplikojnë për leje-qëndrim”, ka thënë Haliti.
Arton Qerkini nga Inspektorati i Punës thotë se Ligji i Punës nuk e njeh dallimin e punëtoreve, të huaj apo të vendit.
“Dallimi i vetëm bëhet te leja e punës, nëse kemi të bëjmë me punëtorë të cilat nuk kanë shtetësi të Kosovës, pra nënkupton që nëse realizojmë inspektime dhe kudo që i hasim, kërkesat bëhen konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Haliti.
Ligji garanton të drejtat e punëtorëve të huaj, duke siguruar trajtim të drejtë dhe të barabartë sipas ligjeve të punës në Kosovë.
Korniza ligjore përfshin trajtimin e barabartë me punonjësit vendas, rregullimin e kontratave të punës, orarit dhe pagesës jashtë orarit, si dhe periudhat e pushimit.
Për më tepër, ligji përshkruan procedurat për përfundimin e punës – duke garantuar mbrojtje kundër largimit të padrejtë.
Sipas Qerkinit, Kosova ka mangësi në rregullimin e çështjeve të punësimit midis personave fizikë. Këto punësime shpesh ndodhin në mënyrë joformale, duke e bërë të vështirë për inspektoratin të kryejë inspektime në shtëpitë private.
“Kjo çështje është çështje e ndjeshme edhe për vendet e BE-së, mirëpo edhe Kosova i ka problematikat e veta sikurse edhe shtetet e tjera sepse kemi të bëjmë me të punësuarit në shtëpi private e që është problematike edhe për Inspektoriatin e punës për hetime në shtëpi private”, ka thënë Qerkini.
Qerkini iu bën thirrje punëtorëve migrantë që të paraqesin ankesat e tyre në Inspektoratin e Punës. Ai thekson se evidentimi i këtyre ankesave mund të çojë në masa ndëshkuese për punëdhënësit që i keqtrajtojnë.
“Masat ndëshkurse janë të specifikuara prej vlerës minimale deri te ajo maksimale, ku varësisht prej rrethaneve qoftë lehtësuese apo rënduese që i vlerëson inspektori gjatë inspektimit, shqipton edhe masën”, ka thënë Qerkini.
Për shkak të mangësive në njohjen e gjuhës shqipe dhe vështirësive në komunikim me institucionet, filipinaset në Kosovë kanë themeluar një OJQ që shërben si një adresë mbështetjeje për to.
“Në raste të papritura si abuzimi apo keqtrajtimi, ato kanë një vend ku mund të qëndrojnë përkohësisht. Gjithashtu për të krijuar partneritet me zyra të tjera që mund të përmirësojnë jetën e tyre”, thuhet nga OJQ.
Hoxha nga IKS thekson se krijimi i një OJQ-je të drejtuar nga vetë punëtorët migrantë është një hap thelbësor për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të krijuar komunikim me institucionet.
“E kemi pa si mundësi të vetme, krijimin e organizatës joqeveritare, ku do të udhëheqet prej punëtorëve dhe ato do të jenë një zë për të gjithë punëtorët migrantë”, ka thënë Hoxha nga IKS.
Gratë, veçanërisht ato filipinase përballen me një situatë të pasigurt dhe kërkojnë mbështetje nga institucionet kosovare.
Punëtorët migrantë në Kosovë sidomos ato nga Filipinet janë në kërkim të një jete më të mirë dhe të drejtave që i meritojnë. Pa përfaqësim diplomatic dhe shpesh pa mbrojtje të mjaftueshme ligjore, këta punëtorë kërkojnë mbështetje nga institucionet kosovare dhe organizatat vendase që t’u sigurojnë trajtim të barabartë dhe të drejtë. /Gazeta10/