
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për të pandehurin E.N., shtetas i Zvicrës, për veprën penale vrasje. I pandehuri dyshohet të ketë shkaktuar vrasjen e një shtetase argjentinase, të cilën e ka shtyer nga dritarja e dhomës në Fushë Kosovë. Viktima për shkak të lëndimeve të marra ka vdekur.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.N me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta në rrugën “ Nënë Terezë”në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dëmtuarën – tani të ndjerën M.K.U,të njëjtën e privoj nga jeta duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit, nga kati gjashtë, me ç’rast e ndjera kishte pësuar lëndime trupore,e që edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Mbi këtë arsye, shtetasit zviceran i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit,pasi që i njëjti është shtetas i Zvicrës dhe nëse i pandehuri gjendet në liri i njëjti do të mund të ik me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe do të ishte i paarritshëm për organet e ndjekjes, e në këtë mënyrë do të pengohej rrjedha e procedurës penale, andaj konstatoi së masa e paraburgimit në këtë fazë të procedurës penale është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale”, thotë tutje komunikata.