
Bekim Gashi, koordinator i muzeut “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr.Ibrahim Rugova”, ka bërë të ditur se pjesa e sipërme e këtij muzeu nuk është në gjendje të mirë, por që ka theksuar se ajo shumë shpejt do të rinovohet.
Gashi ka thënë se për problemet në këtë muze i ka njoftuar organet përkatëse.
“Sa i përket kulmit ka kohë që është në këtë gjendje. Unë si koordinator i muzeut i kam lajmëru organet përkatëse, drejtoreshën dhe ministrinë, por në bazë të informatave, ato janë çështje të prokurimit”, ka thënë Gashi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Tutje, ai ka theksuar se muzeu do të rregullohet në tërësi, kur të mbarojë çështja e tenderimit.
“Para një muaj e gjysmë është rregullu edhe nxemja nga ana e kryetarit të komunës. Sa i përket kësaj pjese, infomatat i kam çu, por është çështje tenderimi dhe shumë shpejt do të evitohet”, ka thënë ai. /Gazeta10/