
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot pret në takim Sindikatën e Policisë së Kosovës.
Takimi pritet të fillojë në ora 11:00.
Ky takim vjen pas dy protestash të organizuara nga Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës, në të cilat janë shprehur kërkesat e tyre për kushte më të mira të punës.
Takimin për gazeta10 e ka konfirmuar kryetari i kësaj Sindikate, Imer Zeqiri.
“Kemi caktuar një takim me Ministrin të cilën do ta zhvillojmë të mërkurën. Krejt varët se si do të zhvillohet biseda ma Ministrin i cili në këtë rast përfaqëson Qeverinë. Tani për tani nuk do të bëjmë një hap tjetër pa ditur se çka do të realizohet dhe unë po shpresoj për një reflektim pozitivë gjatë këtij takimi me vet faktin që ministri ka vendosur te kemi një takim po besoj qe do të këtë lëvizje”, ka thënë Zeqiri për Gazeta10.
Ai ka bërë të ditur se kanë vendosur që të mos ketë protesta më për këtë vit, pasi sipas ti, i është dhënë hapësira për dialog institucioneve qeverisëse.
“Ndërsa për hapat tjerë, Këshilli Drejtues vendosi që në muajin Janar të vitit të ardhshëm të mbahet një takim i KD-së dhe të shikohet se në këtë periudhë kohore, nga protestat e deri në mbledhjen e ardhshme a do të realizohet ndonjë takim në drejtim të dialogut social”, ka thënë Zeqiri.
Protesta e parë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u mbajt më 1 nëntor, ndërkaq e fundit u mbajt më 9 dhjetor. /Gazeta10/