
Dy persona janë të arrestuar lidhur me vdekjen e 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahut, i cili u rrah brutalisht më 14 janar në Podujevë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha për Gazeta10 se dy të dyshuarit janë arrestuar në ditën kur ka ndodhur rasti dhe se po hetoheshin për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intensiv ka ndërruar jetë”, tha Borovci.
“Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale ‘Vrasja në tentativë’ përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën ‘Drenica’ në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë. Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor”.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Pas rrethanave të reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale në “Vrasje e rëndë”./Gazeta10