
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot u ka dërguar ftesë subjekteve politike që të konsultohen për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicën e veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, raporton Gazeta10.
Ky takim për diskutim në mes presidentes dhe kryetarëve të partive do të mbahet me 14 nëntor.
Këtë ftesë Osmani e ka dërguar, pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave veriore nga pozitat e tyre.
Në fakt, kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, nuk janë të vetmit që kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Deputetët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje nga posti i tyre, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme KQZ-ja e ka publikuar një list me emra të deputetëve që do të I zëvendësojnë ata.
Përveç deputetëve e kryetarëve të komunave, serbët janë larguar edhe nga ushtria, policia e sistemi i drejtësisë.
E tërë kjo situatë është krijuar për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës, për shkarkimin e drejtorit të Policisë së Mitrovicës Veriore, Nenad Gjuriq, pasi që nuk i zbatonte urdhëratë e institucioneve lidhur me riregjistrimin e targave në RKS./Gazeta10