
Radisav Kostoviq është arrestuar në Zubin-Potok nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile.
Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer në kuadër të hetimeve lidhur me masakrën në fshatin Kalludër. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se, brenda afateve ligjore, do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Arrestimi i Kostoviqit vjen pas zbulimit të mbetjeve mortore të të paktën 23 personave gjatë muajit të kaluar, në tri fshatra të Zubin-Potokut.
Për këtë rast, në paraburgim ndodhen edhe tre persona të tjerë të dyshuar, me inicialet J.R., M.J. dhe M.B.
Në Kosovë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit rreth 1,560 persona./Gazeta10