
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur fjalim në Asamblenë e Këshillit të Evropës me ç’rast ka kërkuar rrëzimin e pjesës së raportit të Dick Martyt ku pretendohet se kishte trafikim organesh në Shqipëri. Rama tha se këto janë pretendime të pa faktuara, të cilat e vënë në pikëpyetje luftën për çlirim të shtetit të Kosovës. Të fund ai tha se ky fjalim nuk ka të bëjë me Kosovën e Shqipërinë, por për nderin e besuëshmërinë ndërkombëtare.
Raporti: Fjolla Xheladini, Kamera: Ron Hashani.
Në vendin ku u vulosë raporti i Dick Martyt, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi rrëzimin e këtyre pretendimeve që i hapën rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Kryeministri shqiptar në fjalimin e tij të gjatë në Asamblenë e Këshillit të Evropës theksoi se ky raport nuk ka asnjë provë, derisa përmban pretendime tërësisht të pabazuara.
Rama u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që t’i rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke thënë se ata bënë luftë të pastër e të ndershme dhe se akuzat që iu ngritën ishin pjesë e imagjinatës njerëzore.
Kryeministri Rama tha se Kosova përjetoi një luftë të përgjakur ku u vranë, përdhunuan e u zhdukën mijëra persona.
Gjatë fjalimit ai tha se të njëjtat institucione që i dhanë lirinë Kosovës, minuan veprimet e parimet e tyre pasi përfunduan duke vënë në pikëpyetje luftën për liri të shtetit të Kosovës, duke pretenduar se kurrë nuk pati një të tillë.
Ndër të tjera kryeministri shqiptar foli edhe për shtëpinë e verdhë të cilën e quajti shtëpi fantazmë në një sallë reale.
E fjalimin ai e mbylli duke thënë se e gjithë kjo nuk është as për të mirën e Kosovës as të Shqipërisë, por për nderin e besueshmërinë ë bashkësisë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër nga Organizatat e dala nga lufta kanë thënë se paraqitja e Edi Ramës në Asamblenë e Këshillit të Evropës lë të kuptojë që lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë.
Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve thotë që presin rezultate pozitive në mënyrë që të ketë ndryshim në atë pjesë të raportit të Dick Martyt.
Ndërsa avokati, Artan Çerkini ka thënë se raporti i Dick Martyt duhet të merret me rezerva për shkak të mungesës së provave.
Kuvendi i Shqipërisë e kishte dërguar më 12 gusht të këtij viti në Këshillin të Evropës rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”./Gazeta10