
Komisioni Europian e ka publikuar raportin për Kosovën për vitin 2022.
Në raport, është kritikuar Kuvendi i Kosovës për menaxhim të dobët të agjendës legjislative, ndërsa për dialogun me Serbinë është vlerësuar se Kosova duhet të tregohet më shumë konstruktivitet e se marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme është urgjente e thelbësore për t’ua mundësuar dy shteteve avancimin në rrugën drejt Evropës.
Nga Komisioni është thënë se puna e Kuvendit të Kosovës mbetet e ndikuar negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe vështirësi në arritjen e kuorumit vendimmarrës.
Sa u përket zgjedhjeve komunale të vitit 2021, është thënë se kanë qenë mirë të organizuara, transparente dhe konkurruese. Teksa për situata në veri të Kosovës, është quajtur sfiduese.
“Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket korrupsionit, krimit të organizuar, dhe kushteve për liri të shprehjes”, thuhet në raport.
Më tej, është vlerësuar se ka përgatitje në fushën e reformave të administratës publike, por përparim të kufizuar në këtë zonë. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, është thënë se Kosova gjatë kësaj periudhe raportuese ka bërë njëfarë progresi me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit.
Për luftimin e terrorizmit dhe luftën kundër parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, është thënë se ka një progres në përputhje me objektivat e përcaktuara në marrëveshjen BE-Kosovë, për Planin e Përbashkët të veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.
Raporti gjithashtu ka trajtuar edhe lirinë e shprehjes, ku raportohet se Kosova ka një mjedis pluralist dhe të gjallë mediatik. Megjithatë, shqetësimet mbeten në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiare i lë mediat, duke përfshirë transmetuesin publik, të cenueshme ndaj interesave politike dhe të biznesit./Gazeta10