
Raporti i Progresit nga Komisioni Europian ka kritikuar ashpër Serbinë në disa rrafshe duke përfshirë politikën e jashtme, raportet e tensionuara rajonale si dhe problemet e brendshme, raporton Gazeta10.
Në draft-raportin që do të publikohet nesër thuhet se Serbia nuk ka respektuar sanksionet ndaj Rusisë të cilat janë prezantuar si masa kundër Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
“Seria e veprimeve dhe deklaratave të Serbisë bie ndesh me qëndrimin e politikës së jashtme të BE-së. “Serbia pritet të përmbushë detyrimet e saj si prioritet dhe në mënyrë progresive të harmonizohet me masat kufizuese të BE-së në përputhje me kornizën negociuese të Serbisë”, nënvizohet në dokument.
Raporti kritikon Serbinë për raportet rajonale e ku përmenden marrëdhëniet e tensionuara me Kroacinë si dhe Malin e Zi.
“Sa i përket bashkëpunimit rajonal, raporti për Serbinë vlerëson se vendi mbetet i përkushtuar për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Megjithatë, përmendet se marrëdhëniet me Kroacinë janë “gjithnjë e më të tendosura me konflikte të herëpashershme politike”, shkruan Danas, transmeton Gazeta10
“Marrëdhëniet e Serbisë me Malin e Zi vlerësohen në dokument si “sfiduese”, por theksohet se të dyja palët treguan një gatishmëri më të madhe për rivendosjen e marrëdhënieve dhe përpjekje për zgjidhjen e çështjeve të hapura”.
Në këtë draft është përmendur në mënyrë specifike dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ku është thënë se nuk ka progres konkret për një marrëveshje përfundimtare.
Në këtë dokument ftohen palët për avancim të procesit pa vonesa të mëtutjeshme teksa arrtija e kësaj marrëveshjeje është vlerësuar si urgjente dhe vendimtare.
“Një paragraf i veçantë i referohet procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ku vlerësohet se nuk ka progres konkret në negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative. Në dokument, Beogradi dhe Prishtina ftohen të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të çojnë përpara negociatat mbi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme mbi normalizimin “pa vonesa të mëtejshme”. Arritja e një marrëveshjeje të tillë është “urgjente dhe vendimtare”, thuhet në raport, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugën e tyre evropiane”, thuhet më tej.
Po ashtu, Serbia është kritikuar për luftën kundër korrupsionit ku është thënë se ka vetëm një “progres të kufizuar”.
“Sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas gjetjeve të Komisionit Evropian, theksohet se Serbia ka bërë vetëm “progres të kufizuar”. Lidhur me këtë, përmendet se numri i hetimeve të reja dhe aktgjykimeve të formës së prerë është rritur në vitin 2021 krahasuar me një vit më parë, por se numri i aktakuzave të shkallës së parë ka rënë”, shkruan Danas, transmeton Gazeta10.
Më tej, bëhet e ditur se është dhënë një vlerësim i keq për luftën kundër krimit të organizuar ku njejtë si tek lufta kundër korrupsionit është vlerësuar se ka “përparim të kufizuar”.
“Serbia ka marrë një vlerësim të keq në luftën kundër krimit të organizuar, ku thuhet se është bërë vetëm “përparim i kufizuar”. Përmendet se në periudhën e kaluar është rritur numri i hetimeve të reja dhe i aktgjykimeve të formës së prerë, por është zvogëluar numri i aktakuzave dhe aktgjykimeve të shkallës së pare”, shkruan Danas.
Në raport me lirinë e shprehjes nuk është shënuar asnjë përparim bëhet e ditur se është thënë në këtë draft të Komisionit Europian ku është theksuar edhe numri i kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve.
“Asnjë përparim nuk është bërë në lirinë e shprehjes, sipas raportit të Komisionit Evropian për Serbinë. Në raport, ekspertët e Komisionit nënvizojnë se rastet e kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve janë shqetësuese dhe theksojnë se ushtrimi i papenguar i lirisë së shprehjes duhet të forcohet edhe më tej në praktikë”. / Gazeta10